BE thërret serbët në zgjedhje
Bashkimi Europian u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të mos humbasin shansin e ofruar për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale. Mospjesëmarrja në zgjedhje, sipas Shefit të BE’së në Serbi, nuk është në interesin e serbëve që jetojnë në Kosovë.
Lajme
Përfaqësuesit e Bashkimit Europian në Beograd, kanë kërkuar nga përfaqësuesit institucional të Serbisë, që të motivojnë sa më shumë serbët e Kosovës, që të dalin në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.
Shefi i delegacionit të BE’së në Serbi, Michael Davenport, ka deklaruar për mediet e atjeshme se është i kënaqur me thirrjet që autoritetet serbe janë duke u bërë votuesve serb, që ata të marrin pjesë në zgjedhjet lokale në Kosovë.
“Ky është një shans i mirë, që të zgjedhin njerëz të cilët do të mbrojnë interesat e banorëve të Kosovës”.
“Mos pjesëmarrja në këto zgjedhje, është në mospërputhje me interesat e këtyre banorëve”, ka thënë Davenport në një intervistë për të përditshmen “Politika”.
Ai ka thënë se delegacioni i BE’së ka një bashkëpunim të mirë më Qeverinë e Serbisë. Ai deklaroi, po ashtu, se sheh një përparim në procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“I gjithë ky progres nuk do të kishte qenë i mundur pa përkushtimin e madh të kryeministrave të Kosovës dhe të Serbisë”.