BE shpërndan vëzhguesit
Misioni i BE'së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve i ka dërguar 20 vëzhgues në mbarë Kosovën. Peter Palmer thotë se roli i këtij misioni është një vëzhgim gjithëpërfshirës të procesit, në nivelin qendror dhe rajonal.
Lajme
Misioni i Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve i ka dërguar sot 20 vëzhgues afatgjatë në mbarë Kosovën. Dhjetë ekipe të vëzhguesve të BE’së janë nisur nga Prishtina sot në mëngjes për të shkuar në komunat në të cilat do të qëndrojnë deri në fund të procesit të zgjedhjeve.
“Roli ynë është që të realizojmë një vëzhgim gjithëpërfshirës të tërë procesit të zgjedhjeve si në nivelin qendror, ashtu edhe në atë rajonal, në Prishtinë dhe në të gjitha anët e Kosovës. Përveç ekipit kryesor të përbërë nga tetë ekspertë me seli në Prishtinë, 20 vëzhgues afatgjatë do të jenë sytë dhe veshët tanë në terren dhe do të na ndihmojnë që të mbledhim informata të besueshme”, tha Peter Palmer, Zëvendësshef i Misionit Vëzhgues të BE’së.
Gjatë vëzhgimit të procesit, vëzhguesit afatgjatë do t’i përmbahen një kodi të sjelljes, në të cilin përcaktohet, mes tjerash, se ata “do t’i marrin përsipër detyrat e tyre në mënyrë diskrete”. Ata do t’i përmbahen një metodologjie të përkufizuar qartë, për t’u siguruar që informatat për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të mblidhen sistematikisht.
Vëzhguesit do të takohen me zyrtarë qeveritarë dhe të zgjedhjeve si dhe me përfaqësues të partive politike, gjyqësorit, organizatave të shoqërisë civile dhe mediave. Gjatë vëzhgimit ata do të përqendrohen në aktivitetet e fushatave të kandidatëve dhe partive politike, në raportimet e mediave dhe në përgatitjet për votim.
Deri në ditën e zgjedhjeve, atyre do t’iu bashkohen edhe 42 vëzhgues afatshkurtër dhe vëzhgues të tjerë nga ambasadat e BE’së. Ata pastaj do t’i vizitojnë vendvotimet, në mënyrë që ta mbikëqyrin hapjen e vendvotimeve si dhe operacionet e votimit dhe numërimit.
Misioni i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë është themeluar më 4 tetor të vitit 2013 për t’i vëzhguar zgjedhjet komunale që janë caktuar të mbahen më 3 nëntor dhe 1 dhjetor të vitit 2013. Ky mision udhëhiqet nga Roberto Gualtieri, shef i Misionit Vëzhgues dhe deputet i Parlamentit Evropian.