BE: Shfuqizimi i Speciales do të kishte ndikim negativ në marrëdhëniet e Kosovës me BE-në

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që nisma për shfuqizimin e Gjykatës Speciale të tërhiqet.

Lajme

12/01/2018 10:45

Me anë të një komunikate për media BE ka ripërsëritur shqetësimet për nismën e shfuqizimit të Speciales, duke thënë se nëse ndodh një gjë  e tillë do të kishte ndikim negativ në raportet Kosovë-BE.

“Në vitin 2014, Kosova është përkushtuar me Bashkimin Europian për t’i themeluar Dhomat e Specializuara. Ky ishte një hap i rëndësishëm për të dëshmuar përkushtimin e Kosovës ndaj sundimit të ligjit. Si rezultat, BE-ja e mirëpriti themelimin e Dhomave të Specializuara nga Parlamenti i Kosovës në vitin 2015”.

“Çdo tentim për ta shfuqizuar apo ndryshuar mandatin e Dhomave të Specializuara e minon seriozisht një përkushtim të tillë dhe do ta rrezikonte seriozisht punën e arritur nga Kosova dhe BE për sundimin e ligjit të arritur viteve të fundit. Kjo do të kishte ndikim negativ në marrëdhëniet e Kosovës me BE’në.

“Prandaj, BE-ja i bën thirrje iniciatorëve të nismës së Parlamentit që ta tërheqin këtë iniciativë. BE’ja e mirëpret deklaratat publikë të kohëve të fundit nga liderët politikë në përkrahje të nderimit të obligimeve të Kosovës. BE-ja i përshëndet mediat dhe shoqërinë civile që kanë ngritur zërin kundër kësaj iniciative të dëmshme”, thuhet në komunikatë, në të cilën tregohet se BE përkrahë fuqishëm përparimin e Kosovës në integrimin e saj europian./Lajmi.net/