BE: Qeveria e Kosovës të marrë masa strikte për ndalimin e emigrantëve

Qeveria e Kosovës duhet të marrë masa për ndalimin e emigrimit të qytetarëve, vlerësojnë zyrtarë nga Brukseli. Sipas të dhënave të Komisionit Europian, nga dhjetori i vitit 2014 llogariten se qytetarët e Kosovës përbëjnë rreth 40 për qind të kalimeve ilegale drejt BE-së, duke kaluar edhe sirianët dhe afganet.

Lajme

05/02/2015 15:10

Për ikjen e madhe të kosovarëve jashtë vendit fajin e ka Qeveria e Kosovës, ky është qëndrimi i zyrtarëve nga Brukseli.

Zyra për informim e Komisionit Evropian, përmes zëdhënëses, Milica Petroviq, i ka thënë Radio Kosovës se Qeveria duhet të marr masa strikte për ndalimin e emigrantëve.

“Qeveria e Kosovës duhet të rritë fushatën e saj informative për emigrantët, të forcojë kontrollin kufitar në përputhje me të drejtat themelore, të hetojë kompanitë e autobusëve që mundësojnë udhëtimin nga Kosova si dhe të forcojë bashkëpunimit operacional me vendet transit dhe vendet e destinacionit”, ka thënë Petroviq.

Gjatë viteve të fundit rritja e emigrantëve kosovarë drejt vendeve të zonës Schengen është rritur vazhdimisht.

Sipas Petroviq, nga dhjetori i vitit të kaluar, 40 për qind e kalimeve ilegale, drejt Eurozonës, vinë nga qytetarët kosovarë, duke e tejkaluar kërkesat edhe të emigrantëve që vinë nga Siria dhe Afganistani.

“Që nga shtatori 2014 ka pasur një rritje të vazhdueshme në zbulimin e pikë kalimeve të parregullta të kufirit, nga qytetarët e Kosovës, në kufirin serbo-hungarez. Nga dhjetori i vitit 2014 llogariten se qytetarët e Kosovës përbëjnë rreth 40 për qind të kalimeve ilegale drejt BE-së, duke kaluar edhe sirianët dhe afganët”, është shprehur Petroviq.

Ministria e Punëve të Brendshme në Kosovë ende nuk ka ndonjë të dhënë për migrimet e qytetarëve të Kosovës këtë vit. Ambasadorët e vendeve të BE-së në Kosovë, janë duke përsëritur në vazhdimësi se asnjë nga vendet e tyre nuk japin azil për qytetarët e Kosovës.