BE, presion Kroacisë për ligjin e ekstradimit

Kroacia ka vetëm 2 javë kohë për ta ndryshuar ligjin për ekstradime ose do të përballet me sanksione financiare nga Bashkimi Europian.

Bota

18/09/2013 14:42

Bashkimi Europian (BE) është një hap më afër për t’i vënë sanksione financiare të mëdha Kroacisë, të frustruar që Zagrebi ka dështuar që ta bëjë ligjin e ekstradimit në përputhje me legjislacionin e BE’së përkundër presionit të vazhdueshëm që i ka bërë Brukseli.

Kroacia, shteti anëtar më i ri i BE’së, ka vetëm dy javë kohë që t’i amandamentojë ligjet ose do të përballet me ndërprerjen e ndihmës financiare, që e cila ndër të tjera do të zvarrisë përpjekjet për përmirësimin e kontrolleve kufitare por dhe do dëmtojë dëshirën e saj që t’i bashkohet zonës së lirë në Europë pa pasaporta.

Viviane Reding, Komisionerja Evropiane e cila është përgjegjëse për këtë çështje, ka akuzuar Zagrebin për “keqpërdorim të besimit” të dhënë nga BE’ja dhe tha se kjo gjë duhet të vendoset përsëri në vijë.

Marrëveshja fokusohet në një ligj që Parlamenti kroat e kishte amandamentuar vetëm tre ditë përpara se ky shtet t’i bashkohej Bashkimit Europian, më 1 korrik të këtij viti. Amandamenti nënkupton që çdokush që është i akuzuar apo i dënuar për ndonjë krim para gushtit të vitit 2002 nuk mund të ekstradohet jashtë vendit.

Si rezultat, ata që kanë kryer mizori gjatë luftërave në Ballkan në vitet 1990 nuk mund të ekstradohet dhe të dalë para gjyqit, duke rënë në kundërshtim me ligjet e BE’së mbi urdhër- arrestin.

“Komisioni vazhdimisht ka kërkuar për një korrigjim të pakushtëzuar të legjislacionit korat, duke implementuar ligjin e BE’së mbi urdhër-arrestin”, tha Komisioni në një deklaratë të mërkurën.

Duke theksuar se në Kroaci është çështje ditësh që të ndërrohet ligji, Komisioni tha se “për ta kthyer atë në përputhje me ligjet tona nuk do të marrë shumë kohë”.

Zagrebi zyrtar ka thënë se ata janë të gatshëm që të bëjnë ndryshimet dhe rregullimet e nevojshme deri në korrik të vitit 2014.

Kjo masë e Komisionit e bërë të mërkurën, i jep këtij shteti të BE’së vetëm dy javë kohë për t’u konsultuar mbi sanksionet përpara se masat të ndërmerren. Që kur konsultimi është formalitet, e vetmja mënyrë që këto sanksione të ndalohen në këtë fazë është nëse Kroacia ndryshon ligjin për të përmbushur kërkesat e BE’së.

Nuk është e pazakontë që Komisioni të ndërmarrë masa ndaj një shteti anëtar për mospërputhje me legjislacionin, por kurrë sanksionet nuk janë ndërmarrë shumë kaq shpejt pas anëtarësimit të një shteti në bllok.

Partia opozitare në Kroaci HDZ’ja, e cila ka udhëhequr shtetin në vitet 1990 dhe në vitet 2004-2011, ka akuzuar Qeverinë majtiste të Zagrebit që është duke luajtur me ligjin me qëllim që të mbrojë ish-shefin e inteligjencës kroate Josip Perkovic.

Perkovic ka punuar për shërbimin sekret të Jugosllavisë komuniste, UDB, dhe ka udhëhequr shërbimin e inteligjencës kroate edhe pas pavarësisë. Ai tashmë është duke u ballafaquar me akuza në Gjermani për vrasjet e disidentëve jugosllavë në Bavari më 1983.

Kryeministri Zoran Milanovic ka mohuar çdo lidhje me rastin në Gjermani dhe ka thënë se Kroacia kërkon që të ushtrojë të njëjtat privilegje si të gjithë pjesëmarrësit në BE.

Shtetet anëtare të BE’së mund të kërkojnë përjashtime nga legjislacioni evropian për urdhër-arrestin para vitit 2002, por Komisioni thotë se kjo vlen vetëm për shtetet që kanë qenë në bllok në atë kohë, ose ato që kanë bërë kërkesë në BE gjatë periudhës negociuese.

Kroacia ka mundur që të kërkojë përjashtim kur ishte duke negociuar për të hyrë në Bashkimin Evropian, por nuk e ka bërë këtë gjë.