BE premton transparencë për rastin ‘EULEX’

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, ka deklaruar se Bruksel dëshiron që çështja e dyshimeve për korrupsion brenda misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, të trajtohet me transparencë maksimale.

Lajme

03/11/2014 15:14

Mogherini, e cila javën që shkoi edhe zyrtarisht ka marrë pozitën që deri më tani e ka mbajtur baronesha Catherine Ashton, ka thënë se është në interesin e Bashkimit Evropian të sqarojë të gjitha hollësitë rreth kësaj çështjeje.

“Ajo është duke marrë në shqyrtim të gjitha masat për t’u përballur (me këtë çështje) në formë transparente dhe në mënyrën që do të ruajë kredibilitetin e misionit”, ka thënë të hënën Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, në një takim me gazetarët në Bruksel, raporton RFE. 

EULEX ka pohuar tashmë se është duke hetuar dyshimet se zyrtarë të tij mund të kenë marrë para në këmbim të lirimit të të disa të akuzuarve për vepra penale, që u publikuan nga mediat javën e kaluar.

Dyshimet janë ngritur nga prokurorja britanike e EULEX-it, Maria Bamieh, e cila u pezullua nga puna, përpara se të botoheshin shkrimet në gazetën Koha Ditore.