BE premton fonde për testet e AND-së për të gjithë eshtrat e gjetur

Me rastin e Ditës së personave të pagjetur në Kosovë, shefi i Zyrë së BE-së dhe Përfaqësuesi Special i BE-së, Samuel Zbogar u ka bërë thirrje autoriteteve në Prishtinë dhe Beograd për ta rritur angazhimin politik të qeverive të tyre dhe mbështetjen për informacionet e reja lidhur me fatin dhe vendndodhjen e personave të pagjetur dhe ka ofruar mbështetjen politike dhe financiare të BE-së.

Lajme

27/04/2015 15:44

“BE-ja do të vazhdojë të sigurojë mbështetje politike dhe financiare për këtë proces. Më konkretisht, Zyra e BE-së në Kosovë po e shqyrton mundësinë e zotimit deri në fund të kësaj vere deri në 350.000 EUR për të mundësuar testet e ADN-së për rastet e gjetura gjatë vitit 2014 dhe të eshtrave të reja që pritet të gjenden”, thuhet në komunikatë.

“Bashkimi Evropian qëndron i bashkuar në kujtim së bashku me familjet e viktimave të zhdukura gjatë mizorive të kryera në Kosovë më 1999. Zbulimi i së vërtetës në mënyrë që t’u mundësohet familjeve të viktimave të mbajnë zi për të dashurit e tyre mbetet një detyrë urgjente dhe bashkë me gjetjen e përgjegjësve për krimet dhe ndjekjes së tyre në mënyrëqë të sillen para drejtësisë, është parakusht për pajtim midis komuniteteve”, theksohet në komunikatë.

Më tutje thuhet se kjo datë duhet të shërbejë si shtysë e përgjegjësisë politike.

“27 prilli si ditë e Personave të Pagjetur duhet të shërbejë si shtysë për institucionet përgjegjëse për ta shpejtuar këtë proces. Në këtë ditë, BE-ja u bën thirrje autoriteteve në Prishtinë dhe Beograd për ta rritur angazhimin politik të qeverive të tyre dhe mbështetjen për informacionet e reja lidhur me fatin dhe vend ndodhjen e personave të pagjetur dhe lokacioneve të reja të varreza”.