BE: Për vizitën e Thaçit në Beograd, vlen Marrëveshja e Brukselit

BE pret që në rastin e vizitës së zëvendëskryeministrit të Kosovës Ahshim Thaçit në Serbi, të kihen parasysh procedurat e parapara me marrëveshjen e Brukselit.

Lajme

17/04/2015 16:50

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, ka thënë se gjatë dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, është paraparë forma e vizitave të ndërsjella të zyrtarëve të lartë të këtyre dy vendeve.

“Gjatë dialogut për normalizim të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit janë marrë vesh që të ketë edhe vizita të zyrtarëve serbë dhe atyre të Kosovës, e cila parashihet që të zgjidhet nëpërmes oficerëve të ndërlidhjes”, ka Kocijançiq, transmeton lajmi.net.

Ajo ka deklaruar se në BE duhet të presin që këto procedura të respektohen edhe në këtë rast konkret.

Në Bruksel dje kanë thënë se BE-ja nuk është iniciator as organizator i këtij takimi.

Vizitën e Thaçit në Beograd e ka komentuar edhe shefi i delegacionit të BE-së në Serbi, Michael Davenport. I pyetur nga gazetar se cili është qëndrimi i tij lidhur me këtë vizitë, Davenport ka qenë i shkurt, duke thënë se duhet të respektohen rregullat që vlejnë për vizita të tilla.

“Ekzistojnë procedura që duhet të aplikohen gjatë këtyre vizitave. Kjo është e gjitha që mund të them”, ka thënë ai.

Edhe ambasadori i SHBA-ve në Serbi, Michael Kirby, ka komentuar planifikimin e kësaj vizite. Ai lidhur me këtë çështje është përgjigjur shkurt, duke thënë se “përkrahë çdo vizitë në rajon që ka për qëllim përmirësimin e raporteve në mes shteteve”.

Takimi organizohet nga 23 deri më 25 prill në Beograd nga një organizatë jo qeveritare “Këshilli rinor për arsim”.