BE: Pak gjasa për marrëveshje me Greqinë deri në fund të muajit

Pavarësisht përshpejtimit të negociatave të autoriteteve greke me institucionet financiare ndërkombëtare, nuk është akoma e dukshme arritja e një marrëveshjeje deri në fund të prillit për çështjen e financimit të këtij vendi, deklaroi një zyrtar i lartë i eurozonës, i cili kërkoi të mos identifikohej.

Bota

22/04/2015 21:21

“Ka një përshpejtim të qartë të punës, angazhim të qartë, por jemi ende larg për të arritur një rezultat të dukshëm”, deklaroi ai.

Zyrtari nënvizoi se qeveria greke ra dakord me deklaratën e Eurogrupit të 20 shkurtit, mbi bazën e së cilës deri në fund të prillit do të duhej të kishte rënë dakord me institucionet për një listë të kompletuar reformash.

“Afati nuk është humbur ende, mirëpo është shumë e vështirë që të respektohet, pasi çdo lloj marrëveshjeje me institucionet do të duhet të shqyrtohet nga Euro Ëorking Group, që nga ana e vet duhet të përgatisë terrenin për diskutimin politik që do të bëjnë ministrat e financave të eurozonës”, tha zyrtari i BE-së.

Ai la të kuptohet se nuk priten vendime nga takimi i Eurogrupit të 24 prillit, në Riga të Letonisë, ndërsa paralelisht la gjithashtu të kuptohet se nuk përbën afat as Eurogrupi i datës 11 maj.

Sipas zyrtarit të eurozonës, një është afati i rëndësishëm, data 30 qershor, kur përfundon programi grek./ATSH/