BE – opozitës: Leni fjalët, shfrytëzojeni mundësinë e nënshkrimit të MSA-së

Zyra e BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së dhe Ambasadat/Zyrat e shteteve anëtare të BE-së në Kosovë kanë uruar sot qytetarët e Kosovës për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) me Bashkimin Evropian por kanë kërkuar nga opozita të mos përdorë dhunë më.

Lajme

27/10/2015 15:54

Në deklaratën e lëshuar nga ta, thonë se respektimi i sundimit të ligjit dhe institucionet e sundimit të ligjit nuk mund të jenë përzgjedhëse dhe të kushtëzuara nga vlerësimi subjektiv i dikujt dhe zbatimi i atij vlerësimi.

“Përdorimi i dhunës nuk ka vend në aktivitetet politike. Ekzistojnë mënyra dhe mjete të shumta demokratike që opozita mund t’i përdorë për të ngritur zërin e saj, dhe përdorimi i gazit lotsjellës nuk është asnjëra prej tyre. Ne u bëjmë thirrje të gjitha partive politike që të shfrytëzojnë mundësinë e nënshkrimit të MSA-së për t’iu kthyer dialogut politik në nivel të institucioneve dhe të rikonfirmojnë angazhimin e  tyre për vlera evropiane me vepra, e jo me fjalë”, thuhet në deklaratën e tyre raporton lajmi.net.

Vlerësojnë se është në interes të të gjitha partive politike dhe në rend të parë të qytetarëve të Kosovës që të punojmë së bashku drejt zbatimit të shpejtë të MSA-së për të mirën e transformimit më të shpejtë të Kosovës në një vend ku njerëzit shohin me optimizëm të ardhmen e tyre evropiane.

“Në këtë kuptim, një Kuvend që funksionon, efikas dhe efektiv, do të ishte qenësor”, përfundon deklarata./ lajmi.net