BE me regjim të ri për sanksionimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut

18:17 | 9 Dhjetor 2019

Ministrat e Jashtëm të BE-së sot në një takim në Bruksel i bënë thirrje Shërbimit Evropian për Çështje të Jashtme që të fillojë përgatitjen e një regjimi të sanksioneve evropiane globale.

Ky regjim do të zbatohej në rastet e shkeljeve serioze të të drejtave të njeriut në botë dhe do të ishte i barabartë me Aktin Magnitsky të SHBA, sipas Këshillit të BE.

“Ky do të jetë një hap konkret për të riafirmuar rolin udhëheqës të BE në të drejtat e njeriut”, tha shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell.

Ai deklaroi se Shërbimi Evropian për Çështje të Jashtme në fillim të vitit të ardhshëm do të nisë një Plan veprimi për të drejtat e njeriut dhe demokracinë deri në vitin 2024.

Akti Magnitsky është një projektligj i miratuar nga Senati në vitin 2012 dhe është nënshkruar nga presidenti i atëhershëm Barack Obama për të ndëshkuar zyrtarët rusë përgjegjës për vdekjen e Sergei Magnitsky.

Që nga viti 2016, ai ligj lejon autoritetet amerikane, globalisht, të sanksionojnë këdo që ata besojnë se shkelin të drejtat e njeriut, përfshirë ngrirjen e fondeve dhe ndalimin e hyrjes në SHBA.

Ndryshe, ligji u frymëzua nga avokati rus Sergei Magnitsky, i cili ndihmoi në zbulimin e një skeme masive të mashtrimit të taksave në Rusi, por u arrestua nga autoritetet dhe vdiq në një burg në Moskë në vitin 2009.