BE me masa mbrojtëse për dëshmitarët në procesin ndaj EULEX-in

Task Forca Hetimore e BE-së ka miratuar masa mbrojtëse të veçanta për të siguruar konfidencialitetin e dokumenteve dhe sigurinë e dëshmitarëve në procesin që pritet të zhvillohet pas një aktakuze që do të ngritët në bazë të raportit të Këshillit të Evropës.

Lajme

11/11/2014 19:26

Zëdhënësi i SITF-së , Joao Sousa i ka thënë KTV-së se gjatë hetimeve të tyre që janë vlerësuar dukshëm të ndjeshme janë përdorur metoda të jashtëzakonshme sigurie.

“Ne jemi në dijeni për pohime të tilla, por si zakonisht nuk i komentojmë ato, së paku sepse është duke u zhvilluar një hetim. Mund t’iu rikujtojmë që SITF është plotësisht njësi autonome hetuese me bazë në Bruksel, që kryen punën e vet operacionale të pavarur nga EULEX-i”, ka thënë ai.

Sousa ka shtuar se kjo task forcë është plotësisht e përkushtuar që të ecë tutje në hetime, në mënyrë të pavarur dhe profesionale, dhe që të ngritë një aktakuzë kur të jetë krijuar një mekanizëm i duhur juridik, jashtë Kosovës.

Që nga 23 gushti 2014 Kwai Hong Ip, zëvendëskryeprokuror në SITF, është ushtrues detyre i kryeprokurorit. Ai do të vazhdojë të udhëheqë hetimet që po vazhdojnë dhe përgatitjen e një aktakuze derisa të emërohet pasardhësi i Williamsonit nga BE-ja, raporton KTV.