BE-ja zgjeron sanksionet ndaj Rusisë

Shefat e diplomacive të shteteve anëtare të BE-së janë marrë vesh sot për të zgjeruar listën e zezë të funksionarëve rusë dhe kanë kërcënuar Moskën me aksione edhe më të ashpra nëse nuk mbahen zgjedhjet presidenciale në Ukrainë. 

Bota

13/05/2014 00:31

Për shkak të situatës së përkeqësuar në Ukrainë, kemi vendosur që në listë të shtojmë edhe 13 emra individësh dhe dy subjekte ekonomike, kështu që numri i personave nën sanksione tashti ka shkuar në 61 sish, iu tha gazetarëve në Bruksel përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton.

Emrat e funksionarëve të listës së zgjeruar të cilëve nga e marta do t’iu ndalohet udhëtimi nëpër vendet e BE-së dhe të disponojnë me mjete nga llogaritë e tyre që i kanë në bankat evropiane, do të dihen nesër, sikundër edhe emrat e dy firmave të sanksionuara.

Ashton theksoi rëndësinë e zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë, që janë caktuar për datën 25 maj, si dhe që është me rëndësi shumë të madhe që ato të mbahen në tërë Ukrainën dhe në kushte të mira sigurie.

Moska zyrtare ka reaguar menjëherë pas këtij njoftimi, duke thënë se BE-ja me politikën e saj antiruse po e shkatërron kredibilitetin e vet.

Ashton ka theksuar gjithashtu se aneksimi i Krimesë ka qenë jolegal dhe jolegjtim, sikundër edhe referendumet e mbajtura këtë vikend në Llugansk dhe Donjeck.

\”Kurrë nuk do t’i njohim rezultatet e tyre\”, ka porositur Ashton.

 Me porosi të tillë sot gjatë ditës kanë dalë edhe Washingtoni zyrtar dhe NAT.