BE-ja thotë se po heton pohimet për korrupsion në EULEX

Bashkimi Evropian pranon se që nga viti i kaluar ka qenë në dijeni për dyshimet se brenda misionit për sundimin e ligjit në Kosovë ka korrupsion.

Lajme

29/10/2014 19:18

Në komunikatën e lëshuar nga kabineti i shefes për politikë së jashtme dhe për çështje sigurie, thuhet se që nga viti 2013, EULEX-i në bashkëpunim me autoritetet gjyqësore kosovare është duke zhvilluar hetime për të vërtetuar saktësinë e pohimeve.

“Andaj edhe është punuar me kujdes të posaçëm, në përputhje me atë që është në qendër të përpjekjeve të EULEX-it, përkatësisht lufta kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë”, thuhet në komunikatën e sotme, të nënshkruar nga zëdhënësi i kabinetit të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri.

Megjithatë, porositet se pavarësisht hetimeve që po zhvillohen, pafajësia është gurë themeltar i secilit sistem ku sundon ligji dhe është garanci që duhet të aplikohet te secili qytetar pa diskriminim.

Reagimi zyrtar vjen tre ditë pas tekstit të parë në gazetën Koha Ditore, e cila po vazhdon me publikimin e dëshmive për korrupsion brenda EULEX-it.

Selia e BE-së përsërit se përkrah në tërësi shefin e EULEX-it dhe ekipin e tij që përbehet nga shumë profesionistë të përkushtuar.

“Ne jemi të sigurt se ata do të vazhdojnë me sukses të zbatojnë mandatin e misionit dhe të ndihmojë autoritetet e Kosovës në konsolidimin e sundimit të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm të sektorit të ligjit në Kosovë, i cili do jetë i lirë nga ndërhyrjet politike”, thuhet në fund të komunikatës.