BE-ja shton sanksionet, ekonomia ruse bie për toke brenda 6 javëve

Paketa e re e sanksioneve është e orientuar në sektorin energjetik, atë të mbrojtjes dhe sektorin e ashtuquajtur të teknologjive të ndjeshme. 

Bota

29/07/2014 21:26

Bashkimi Evropian të martën arriti ujdinë për aplikimin e sanksioneve të reja, ekonomikisht shumë më të ashpra kundër Rusisë, me të cilat dëshirojnë ta ndëshkojnë Rusinë për rolin e saj në konfliktet në Ukrainë.

Paketa e masave është e orientuar para së gjithash në sektorin energjetik, atë të mbrojtjes dhe në ashtuquajturat teknologji të ndejshme, i thanë BBC-së burime nga BE-ja.

Tash për tash nuk ka detaje lidhur me sanksionet e reja, që do të publikohen  të mërkurën, por nga ajo që është folur dihet se bankave rus do t’iu kufizohet qasja në tregjet financiare evropiane. Diplomatët kanë shtuar se masat e reja kundër Rusisë do të hyjnë në fuqi nga e enjtja.

Besohet që sanksionet e reja do të godasin fuqishëm ekonominë ruse dhe regjimin e Vlladimir Putinit.

Para disa ditësh, një delegacion i ekonomistëve rusë vizitoi Berlinin dhe në një bisedë me kancelarin Merkel u informuan për sanksionet e reja që po përgatit BE-ja. Ata i kanë thënë kancelares gjermane se këto masa do ta godasin shumë ashpër Rusinë dhe se ekonomia e saj do të gjunjëzohet brenda gjashtë javëve.

Ata janë duke i bërë presion të madh Putinit për të hequr dorë nga Ukraina dhe ndihma që Rusia i jep separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës.