BE-ja kërkon të rrisë në 10 mijë persona rojën kufitare
Bashkimi Evropian duhet të rrisë agjencinë e saj të kontrollit të kufijëve, Frontex, në vitet në vijim, njoftoi sot komisioneri evropian për Buxhetin, Guenther Oettinger, duke bërë thirrje për rritjen e numrit të rojeve kufitare nga 1.200 në 10.000 deri në vitin 2027.
Bota
Oettinger po prezantonte propozimin e Komisionit Evropian për buxhetin e BE-së për periudhën 2021-2027, në të cilin komisioni identifikon shpenzimet për sigurinë dhe mbrojtjen e kufijëve si një prej prioriteteve të bllokut në vitet në vijim.
Në këtë propozim kërkohet një trefishim i fondeve për menaxhimin e kufijëve të jashtëm, migrimin dhe azilin, duke arritur 33 miliardë euro, në ciklin e ardhshëm shtatë vjeçar, nga 13 miliardë euro që është aktualisht, përcjell Atsh.
Projektbuxheti i propozuar nga Komisioni do të debatohet mes shteteve anëtare të BE-së, si dhe vendet duhet të bien dakord për buxhetin përfundimtar me deputetet e Parlamentit Evropian, të cilët do të japin gjithashtu miratimin e tyre.