BE-ja diskuton për masat që ndalin migrimin ilegal

Imigrimi ilegal i kosovarëve në territorin e BE-së ka bërë që ministrat e brendshëm të vendeve anëtare të diskutojnë për ashpërsimin e masave për të kontrolluar kufijtë e jashtëm të BE-së.

Lajme

12/03/2015 21:43

Ky fenomen ka bërë që komisari i Brendshëm, Dimitris Avramopulos t’i bëjë thirrje shteteve anëtare që të reformojnë procedurat e azilit, ndërsa agjencia evropiane për kontroll azili tash e tuje do të raportojë rregullisht te kabineti i komisarit për statistikat e azilkërkuesve nga Ballkani, e posaçërisht nga Kosova. Sipas Avramopulos, shumica dërmuese e azilkërkuesve nga Kosova i kanë aplikacionet e pabaza për të fituar statusin e azilantit, raporoton korrespodentja e RTK-së nga Brukseli.

Avramopulos ka pranuar që si rezultat i veprimeve të Prishtinës zyrtare dhe Beogradit zyrtar erdhi deri te rënia e numrit të imigrantëve. Sidoqoftë, ai kërkon nga vendet anëtare që të analizojnë arsyet e largimit të qytetarëve nga vendet e tyre dhe të investojnë me qëllim të zhvillimit socio-ekonomik.

Richard Kozlovski, ministër i brendshëm i Letonisë, vendi i të cilit kryeson me Bashkimin Evropian, ka vlerësuar se situata në Ballkanin Perëndimor është dramatike, andaj sipas tij ministrat janë pajtuar që të përdorin instrumentet ekzistuese të Schengenit për të kontrolluar lëvizjen e shtetasve të vendeve të treta në territorin evropian.

Sipas ministrave të brendshëm të BE-së, nga vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, ku qytetarët lëvizin lirshëm në zonën e Schengenit, gjithashtu është shënuar rritje e numrit të azilkërkuesve. Shifrat zyrtare tregojnë se në vitin e kaluar numri i azilkërkuesve nga rajoni i Ballkanit është rritur 45 për qind. (RTK)