BE-ja: Bosnja, Sanxhaku dhe Kosova, potencial për terroristë

Ekspertët evropianë identifikojnë Kosovën, Bosnjën e Hercegovinën, si dhe rajonin e Sanxhakut si potencial të rrezikut terrorist. Sipas vlerësimeve të tyre, nga këto zona supozohet se vjen një numër i madh i të rinjve të radikalizuar të cilët kanë vendosur t’iu bashkohen luftërave Siri dhe Irak.

Lajme

22/01/2015 23:10

Bashkimi Evropian (BE) po bashkëpunon për së afërmi me përfaqësuesit e shteteve të rajonit dhe atë në të gjitha nivelet, përfshirë atë ministrorë, si dhe të shërbimeve të sigurimit. Në këtë kuadër, zyrtarët evropianë konfirmojnë se po zhvillohen edhe vizita të ekspertëve të Brukselit në rajon, me qëllim të shtimit të aktiviteteve në parandalimin dhe zbulimin e terroristëve që kërcënojnë sigurinë e qytetarëve si në BE ashtu edhe në Ballkan, raporton RTK.

Një zyrtar evropian i ngarkuar për çështje anti-terrorizmi ka deklaruar se Ballkani nuk mund të jetë imun ndaj terrorozmit.

“Ka zona ku është në rritje radikalizimi fetar, kur për vota kanë vepruar disa imamë ekstrem dhe radikal. Ndërkohë, vlerësohet se 500 të rinj nga rajoni janë rekrutuar dhe kanë shkuar për të luftuar në Siri dhe Irak. Ata janë kryesisht nga Bosnja apo Kosova”, ka deklaruar ky zyrtar.

Megjithatë ky zyrtar pranon se ana pozitive është se shumica e popullatës nuk e përkrah këtë radikalizëm fetar dhe se autoritetet e këtyre vendeve janë shumë aktivë në luftë kundër terrorizmit dhe ekstremizmit, si dhe bashkëpunojnë me autoritetet e sigurisë së vendeve të BE-së.

Ekspertët në mes tjerash punojnë edhe në thyerjen e propagandës së imamëve radikalë që influencojnë të rinjtë, ndërsa në këtë kuadër bashkëpunimi më i madh vjen nga hoxhallarët e moderuar. Këta të fundit, sipas vlerësimeve të ekspertëve evropianë, kanë përkrahje në shumicën e popullatës.

Rajoni i Ballkanit përfaqëson edhe elementë të rëndësishëm për luftë të suksesshme kundër terrorizmit në Evropë edhe për shkak se konsiderohet si vend transiti apo burimi i trafikimit të armëve për terroristët në Evropën perëndimore.

Ekspertët e BE-së e konsiderojnë Ballkanin si zonë me krim të lartë të organizuar, i cili, siç thuhet, është i lidhur edhe me strukturat politike.

“Krimi i organizuar ushqen edhe terrorizmin edhe pse krimi i organizuar nuk ka ndonjë ideologji. Aty ku ka krim të organizuar dhe funksionim jo të duhur të shtetit, aty edhe grupet ekstremiste gjejnë më shumë hapësirë veprimi”, thonë ekspertët e BE-së, raporton RTK.