BE e shqetësuar me kërcënimet terroriste

Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian do të takohen sot në Bruksel për të diskutuar rreth kërcënimeve të fundit terroriste në Evropë, pas një komplot të dështuar terrorist në Belgjikë dhe sulmit vdekjeprurës në Paris më 7 janar, në të cilin persona të armatosur vranë 17 njerëz.

Bota

19/01/2015 09:12

Shefat e diplomacive të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian do të diskutojnë shqetësimet ndaj personave të radikalizuar që kthehen nga Siria dhe Iraku, ku kanë marrë pjesë në luftimet përkrah organizatës terroriste “Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë” (ISIS) dhe organizatave tjera radikale atje.

Sipas AFP-së, në këtë takim nuk do të merret ndonjë vendim, por megjithatë pritet që të debatohet për përgatitjen e një samiti të posaçëm kundër terrorizmit për muajin e ardhshëm.   

Bisedimet e sotme të ministrave të jashtëm do të përqendrohen edhe në marrëdhëniet e BE-së me Rusinë, me qëllim përafrimin e qëndrimeve mes qeverive të vendeve anëtare të unionit për reagim ndaj veprimeve ruse në Ukrainë.