BE do të sanksionojë 21 zyrtarë rusë dhe ukrainas

BE vendos masa ndalimi në udhëtim për 21 zyrtarë rusë dhe ukrainas, një ditë pas referendumit për shkëputjen e Krimesë. Nuk dihen emrat e individëve, por thuhet se ata janë persona që patën ndikim në mbajtjen e këtij referendumi.

Bota

17/03/2014 14:04

Bashkimi Europian është dakorduar që të vendosë ndalesa në udhëtim dhe t’ua ngrijë asestet 21 zyrtarëve nga Rusia dhe Ukrania.

Ky hap vie një ditë pas mbajtjes së referendumit në Krimea, ku thuhet se 97% e votuesve kanë votuar pro ndarjes nga Ukraina dhe bashkimit të këtij regjioni me Rusinë.

Deri më tani këta individë që do të sanksionohen janë anonimë- por thuhet se janë vënë në shënjestër pikërisht për shkak të rolit kyç që kanë luajtur për mbajtjen e referendumit, për të cilin Kievi zyrtar, por dhe BE’ja dhe SHBA’ja janë deklaruar kundër dhe e kanë quajtur të paligjshëm.

BE’ja ka paralajmëruar se në sesionin e saj të ardhshëm do të ketë takime me ministrat e jashtëm në Bruksel.

Ministri i jashtëm i Lituanisë, Linas Linkevicius, me anë të një mesazhi në Twitter ka paralajmëruar se masat e tjera pritet të merren në ditët e ardhshme.