BDI kundër protestave të dhunshme

Partia shqiptare e koalicionit qeveritar në Maqedoni, Bashkimi Demokratik për Integrim, është shprehur kundër protestave të dhunshme dje në Shkup. 

Lajme

05/07/2014 17:18

Kjo parti thotë se i ka parë me shqetësim zhvillimet e djeshme në Shkup gjatë protestave qytetare kundër vendimit të gjykatës së shkallës së parë në lidhje me rastin e vrasjes së pesëfishtë në liqenin e “Smillkovcit” për të cilin 6 persona u dënuan me burg të përjetshëm. 

Që nga ngjarja tragjike e gjer më sot, BDI ka kërkuar që shkaktarët e krimit makabër të vihen para drejtësisë dhe që faji të vërtetohet me fakte dhe prova të besueshme. 

Pas cenimit të integritetit të rastit që në zanafillë, BDI u angazhua maksimalisht që të adresoj ndjeshmërinë e rastit si dhe kredibilitetin e lëkundur të procesit në rastin Monstra, andaj edhe kërkuam mbikëqyrje të përafërt ndërkombëtare. Në lidhje me këtë, zhvilluam kontakte intensive me të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtar në vend dhe ky proces gjyqësor u mbikëqyr nga ana e ekspertëve juridik të OSBE-së. 

BDI ka zhvilluar takime të shpeshta me familjarët e të dyshuarve dhe avokatët mbrojtjes, përfshirë edhe të fundit që u mbajt të ënjtën, më 3 korrik të këtij viti, ku u konstatua që vendimi i gjykatës së shkallës së parë nuk është përfundimtar dhe që gjykata e Apelit duhet të adresoj shqetësimet e përgjithshëm që u shfaqën gjatë gjykimit në shkallën e parë. 

Bashkimi Demokratik për Integrim përkrah të drejtën e protestave paqësore të qytetarëve, por apelon deri tek të gjitha palët e involvuara që të përmbahen maksimalisht nga dhuna sepse ngjarjet e djeshme nuk i ndihmojnë as procesit, as të dënuarve, as familjarëve, por as atyre që po bëjnë përpjekje që të kontribuojnë me qasje institucionale në zgjidhjen e këtij rasti shumë të ndërlikuar. 

Dhuna e djeshme në rrugët e Shkup na e vështirëson angazhimin e mëtejmë në drejtim të zbardhjes së vërtetës deri në përfundim të të gjitha procedurave ligjore që përfshijnë gjykatën e Apelit, atë Supreme, por edhe Gjykatën e Strasburgut.BDI apelon deri tek të gjithë qytetarët, mediat, shoqërinë civile, opionbërësit si dhe të gjitha palët e shqetësuara në lidhje me verdiktin e gjykatës së shkallës së parë që të japin kontribut konstruktiv në proceset vijuese në mënyrë që të mundësojnë zbardhjen e së vërtetës, shkruan në komunikatë.