BDI apelon shqiptarët të mos bien pre e provokimeve

Bashkimi Demokratik për Integrim në Maqedoni ka reaguar ndaj zhvillimeve të sotme në Kumanovë, por edhe ato të mëhershmet në Goshincë si dhe shpërthimi para selisë së BDI-së dhe të tjera, duke thënë se janë veprime që janë në kundërshtim të plotë me përcaktimet strategjike të kombit shqiptar si në Maqedoni, ashtu edhe në Kosovë, Shqipëri dhe Luginë të Preshevës.

Lajme

09/05/2015 10:05

BDI nëpërmjet një komunikate thotë se me shqetësim të thellë po ndjek zhvillimet e sotme në Kumanovë dhe në vazhdimësi ka apeluar tek qytetarët për përmbajtje, ruajtje të gjakftohtësisë dhe që të mos bien pre e provokimeve.

“Jemi të bindur që vetëm një Maqedoni stabile dhe e sigurt ndihmon rajon dhe asnjë destabilizim i vendit tonë nuk është në interes të kombit shqiptar në rajon. Shqiptarët në Maqedoni kanë agjendë të paracaktuar dhe në bashkëveprim me SHBA, BE dhe NATO duan ta shohin këtë vend me barabarësi të plotë, me marrëdhënie të mira ndëretnike dhe ndërfqinjësore, në paqe e stabilitet si dhe të anëtarësuar në Aleancën VeriAtlantike dhe të integruar në Bashkimin Evropian. Ftojmë edhe mediat dhe opinionbërësit që të dëshmojnë përgjegjësi të lartë në këtë kohë shumë delikate si dhe të përmbahen nga nxitja e mëtutjeshme e situatës së rëndë. Në veçanti, qytetarët e Kumanovës dhe të lagjes ku u zhvillua ndërhyrja duhet të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e dezinformatave të ndryshme”, thuhet në komunikatë.

Njëkohësisht, sipas BDI-së, edhe Ministria e Punëve të Brendshme duhet të veprojë me përgjegjësi ndaj ndjeshmërisë së situatës së sigurisë dhe asaj politike.