Të Infektuar: 1147

Të Shëruar: 874

Të Vdekur: 30

BBC: A do e zhdukë moti i ngrohtë koronavirusin?

21:05 | 7 Prill 2020

Disa njerëz shpresojnë se koronavirusi i ri do të venitet ndërsa temperaturat rriten, por pandemitë shpesh nuk sillen në të njëjtën mënyrë si sëmundjet sezonale. BBC Future ka ofruar një pasqyrë të pretendimeve në lidhje me zhdukjen e COVID-19.

Një studim i kryer 10 vite më parë nga Kate Templeton, nga Qendra për Sëmundje Infektive në Universitetin e Edinburgh, në Mbretërinë e Bashkuar, zbuloi se tri lloje koronavirusësh – të gjitha të marra nga pacientët me infeksione të traktit respirator në spitale dhe operacione mjekësore në Edinburgh – treguan “sezonalitetin e shënuar të dimrit “. Këto viruse dukeshin se shkaktonin infeksione kryesisht midis dhjetorit dhe prillit – një model i ngjashëm me atë që shihet si grip. Një lloj  i katërt i koronavirusit, i cili kryesisht u gjet tek pacientët me sistem imunitar të zvogëluar, ishte shumë më sporadik, raporton BBC, transmeton lajmi.net.

Ekzistojnë disa aluzione që thonë se Covid-19 gjithashtu mund të ndryshojë me stinët. Përhapja e shpërthimeve të sëmundjes së re në të gjithë botën duket se sugjeron se ka një preferencë për kushte të ftohta dhe të thata, megjithëse vlen të përmendet se virusi është shfaqur në vendet me një gamë të gjerë klimash, përfshirë edhe tek ato me lagështi të nxehtë.

Një analizë e pabotuar, e cila krahasoi motin në 500 vende në të gjithë botën ku ka pasur raste me Covid-19, duket se sugjeron një lidhje midis përhapjes së virusit dhe temperaturës, shpejtësisë së erës dhe lagështisë relative. Një studim tjetër i pabotuar ka treguar gjithashtu se temperaturat më të larta janë të lidhura me incidencën më të ulët të Covid-19, por vëren se vetëm temperatura nuk mund të përbëjnë variacionin global të incidencës.

Hulumtime të mëtejshme, por ende të pabotuara, parashikojnë që vendet me klina më të buta dhe të ftohta janë më të prekshmet ndaj shpërthimit aktual Covid-19, të ndjekura nga rajonet me klimë të thatë. Pjesët tropikale të botës kanë të ngjarë të preken më pak, thonë studiuesit.

Pandemitë shpesh nuk ndjekin të njëjtat modele sezonale që shihen në shpërthime më normale. Gripi spanjoll, për shembull, arriti kulmin gjatë muajve të verës, ndërsa shumica e shpërthimeve të gripit ndodhin gjatë dimrit, shton tutje BBC, transmeton lajmi.net.

“Përfundimisht po presim që Covid-19 të jetë endemik,” tha për BBC Jan Albert, një profesor i kontrollit të sëmundjes infektive i cili është i specializuar për viruset në Institutin Karolinska në Stokholm.

Koronaviruset janë një familje e të ashtuquajturave “viruse zarf”. Kjo do të thotë se ato janë të veshura në një shtresë vaji, të njohur si një bi-shtresë lipidesh, të ngulitur me proteina që ngjiten si thumba të një kurore, duke bërë që t’u japin atyre emrin e tyre – korona, që nga latinishtja përkthehet kurorë.

Hulumtimi mbi virusët e tjerë “me zarf” sugjeron që kjo shtresë vajore i bën viruset më të ndjeshëm ndaj nxehtësisë sesa ato që nuk kanë një të tillë. Në kushte më të ftohta, shtresa vajore ngurtësohet dhe kthehet në gjendje të gomës, duke mbrojtur virusin për më gjatë kur është jashtë trupit.

Hulumtimet kanë treguar tashmë që Sars-Cov-2 mund të mbijetojë deri në 72 orë në sipërfaqe të forta si plastika dhe çeliku në temperatura midis 21-23 gradë Celciusdhe në lagështi relative prej 40%. Saktësisht, për të kuptuar se si sillet virusi Covid-19 në temperatura të tjera dhe lagështia ende duhet studime, por hulumtimi mbi koronaviruset e tjera sugjeron që ato mund të mbijetojnë për më shumë se 28 ditë në 4 gradë Celcius.

Në anën tjetër, një  studim nga Universiteti i Maryland ka treguar që virusi është përhapur më së shumti në qytete dhe rajone të botës, ku temperaturat mesatare kanë qenë rreth 5-11 gradë Celcius dhe lagështia relative ka qenë e ulët.

Por ka pasur një numër të konsiderueshëm rastesh edhe në rajone tropikale. Një analizë e fundit e përhapjes së virusit në Azi nga studiuesit në Shkollën Mjekësore në Harvard sugjeron që ky koronavirus pandemik do të jetë më pak i ndjeshëm ndaj motit sesa shpresohet.

Ata vijnë në konkludim se rritja e shpejtë e rasteve në provincat e ftohta dhe të thata të Kinës, të tilla si Jilin dhe Heilongjiang, krahas shkallës së transmetimit në vendet tropikale, siç janë Guangxi dhe Singapori, sugjerojnë se rritja e temperaturëve dhe lagështisë në pranverë dhe verë nuk do të të çojë në një rënie të rasteve. Ata nënvizojnë nevojën për ndërhyrje të gjera të shëndetit publik për të kontrolluar sëmundjen.

Kjo ndodh, sqaron BBC, transmeton lajmi.net, për shkak se përhapja e një virusi varet shumë më tepër sesa thjesht aftësia e tij për të mbijetuar në mjedis. Dhe kjo është ajo ku të kuptuarit e sezonalitetit të sëmundjeve bëhet më e ndërlikuar.

Rastet e fruthit në Evropë, për shembull, kanë tendencë të përkojnë me kushtet e shkollës dhe të zvogëlohen gjatë pushimeve kur fëmijët nuk përhapin virusin tek njëri-tjetri. Mërgimi i madh i njerëzve rreth Vitit të Ri Lunar Kinez më 25 kanar gjithashtu është sugjeruar të ketë luajtur një rol kryesor në përhapjen e Covid-19 nga Wuhani në qytete të tjera në Kinë dhe në mbarë botën.

Moti gjithashtu mund të ketë lidhje me sistemet tona imunitare, duke na bërë më të prekshëm nga infeksionet. Ekzistojnë disa prova që sugjerojnë se niveli i vitaminës D në trupin tonë mund të ketë më shumë ndikim se sa jemi të prekshëm nga sëmundjet infektive. Në dimër trupat tanë prodhojnë më pak vitaminë D nga ekspozimi i diellit, kryesisht sepse kalojmë më shumë kohë brenda.

Më e diskutueshme është nëse moti i ftohtë dobëson sistemin tonë imunitar – disa studime sugjerojnë se ndodh, por të tjerë zbulojnë se i ftohti në të vërtetë mund të rrisë numrin e qelizave që mbrojnë trupin tonë nga infeksioni.

Sidoqoftë, ka një provë më të fortë se lagështia mund të ketë një ndikim më të madh në prekshmërinë tonë ndaj sëmundjeve. Kur ajri është veçanërisht i thatë, mendohet se zvogëlon sasinë e mukusit që posedojnë mushkëritë dhe rrugët e ajrit. Ky sekretim ngjitës krijon një mbrojtje natyrale kundër infeksioneve.

Një studim intrigues nga shkencëtarët në Kinë sugjeron se ekziston një lloj marrëdhënie midis asaj se sa mund të jetë vdekjeprurëse COVID-19 dhe kushtet e motit.

Dhe nëse rastet me Covid-19 në të vërtetë do të bien gjatë muajve të ardhshëm, mund të jenë për një numër arsyesh – masat parandaluese siç janë izolimi dhe karantina; është krijuar një imunitet në rritje në popullatë; ose mund të jetë efekti i stinës, siç sugjerojnë modelet e profesorit Albert.

BBC pretendon se edhe nëse Covid-19 tregon ndonjë ndryshueshmëri sezonale, nuk ka gjasa të zhduket plotësisht gjatë muajve të verës, siç kanë sugjeruar disa. Por një rënie në raste mund të sjellë disa përfitime.

“Hapat që ne po ndërmarrim për të rrafshuar kurbën janë të shtrenjta në aspektin ekonomik, por ato mund të na ndihmojnë ta shtyjmë këtë pandemi në verë,” thotë Albert.

Në një botë që përpiqet ta mbajë nën kontroll numrin e rasteve që rriten me shpejtësi, koha mund të jetë ajo që do t’i vërtetojë të gjitha pohimet shkencore. /Lajmi.net/