Bayern Munich – Man Utd 9:8

Manchester United i është afruar Bayern Munichut në renditjen e klubeve me më së shumti golashënues në Kampionatin botëror në Brazil. Por, bavarezët ende kryesojnë me nëntë gola.

Sport

24/06/2014 15:06

Manchester United kaloi një edicion dëshpërues duke dështuar të mbrojë titullin e kampionit në Premierligë e për më keq përfundoi jashtë katër pozitave të para, duke dështuar të kualifikohet për në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.

Megjithatë, disa prej futbollistëve të gjigantit nga Old Trafford janë duke u paraqitur mjaft mirë për Kombëtaret e tyre përkatëse në Kampionatin botëror në Brazil.

Në fakt, dy futbollistë të Unitedit shënuan gola për skuadrat e tyre. Juan Mata realizoi në fitoren e Spanjës ndaj Australisë me rezultat 3:0, kurse Javier Hernandez ishte një prej realizatorëve të Meksikës që mposhti Kroacinë 3:1.

Shtuar këtyre edhe golin e Nanit për Portugalinë, Marouane Fellainit për Belgjikën, Wayne Rooneyn për Anglinë dhe tre nga Robin van Persie për Holandën, United është ngjitur në pozitën e dytë të klubeve me më së shumti gola të realizuar në Botëror.

Në listë ende kryeson Bayern Munich me nëntë gola, një më shumë se United. Barcelona është e treta me shtatë.

Renditja: Bayern 9, Man United 8, Barcelona 7, Real Madrid 4, Pachuca 3, Liverpool 3, Marseille 3, PSV 3, Wolfsburg 3.