Batatina: Tani e kam kuptuar sa shumë armiq ka pasur Llapi ndër vite, e dua titullin kampion
Trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka reaguar pas humbjes në finalen e Kupës së Kosovës. Llapi humbi me rezultat 1 me 0 nga Prishtina dhe kjo ka bërë që Batatina të ketë një reagim publik. Ja reagimi i tij i plotë: Të nderuar dhe të dashur qytetarë të Llapit, dhe ju, “Legjenda”. Ju treguat se…

Sport
Trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka reaguar pas humbjes në finalen e Kupës së Kosovës.
Llapi humbi me rezultat 1 me 0 nga Prishtina dhe kjo ka bërë që Batatina të ketë një reagim publik.
Ja reagimi i tij i plotë:
Të nderuar dhe të dashur qytetarë të Llapit, dhe ju, “Legjenda”.
Ju treguat se si mbështetet klubi i zemrës përplot 90 minuta. Ishit të mrekullueshëm dhe na dhatë zemër me përkrahjen tuaj. Kërkoj ndjesë, sepse mbrëmë luajtëm futboll të bukur dhe ishim më të mirë në fushë, por fatkeqësisht nuk morëm atë që e merituam.
Jam thellësisht mirënjohës për përkrahjen tuaj ndër vite — për besimin që më keni dhënë mua si trajner, drejtuesve të klubit dhe vetë Llapit, klubit të zemrës tuaj.
I emocionuar pafund isha edhe nga koreografia juaj madhështore, që na preku të gjithëve. Mbajeni mend atë moment dhe mendoni për sfida edhe më të mëdha, sepse unë ju premtoj: çdo sfidë më forcon edhe më shumë për të vazhduar rrugëtimin me krenari, për t’ju bërë edhe më krenarë!
Pas ngjitjes në Superligë si kampion pas 12 vitesh në Ligën e Parë, për pesë vite ishim të qëndrueshëm mes më të mirëve — dhe gjatë kësaj periudhe fituam dy Kupa të Kosovës dhe një Superkupë. Bashkë kemi shkruar historinë e klubit tonë me trofe!
Ju siguroj se Llapi do të vazhdojë të jetë një superfuqi në futbollin kosovar për shumë vite me radhë. Vetëm Zoti mund të më largojë nga ky klub, para se t’ia sjell titullin kampion, të cilin e kemi merituar tashmë me kohë.
Tani e kam kuptuar sa shumë armiq ka pasur Llapi ndër vite, por bashkë do t’i përballojmë të gjithë! Do të sjellim jo vetëm titullin, por edhe shumë trofe të tjerë në Podujevë!
Misionet që i kam nisur, kurrë nuk i kam lënë përgjysmë — dhe as këtë mision nuk do ta lë pa e përmbushur, me përkrahjen tuaj.
Llapi është përjetësi. Dhe do të mbetet gjithmonë në zemrat e llapjanëve!
Luftë po — dorëzim kurrë! FORCA LLAPI!
I juaji, Tahir Batatina”