Batatina i ashpër pas ndeshjes, fajin për humbjen ia lë FFK-së e gjyqtarëve

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, beson se disfata e skuadrës së tij në derbin kundër Prishtinës nuk ishte e drejtë, duke e fajësuar kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademin, për këtë disfatë

Sport

11/05/2019 19:21

Llapi pësoi disfatë me rezultat 1:0 në derbin kundër Prishtinës, që u zhvillua sot në stadiumin “Fadil Vokrri”. Mërgim Pefqeli e shënoi golin e fitores afër fundit të ndeshjes.

Kjo disfatë bën që Llapi të mbetet pesë pikë prapa Feronikelit dhe tri pikë prapa Prishtinës në tabelën e Ipko Superligës së Kosovës. Sipas trajnerit Batatina, Prishtina nuk e meriton ta fitojë titullin e kampionit.

“Po mendoj që sot nuk shkoi për arsye se Llapi nuk mund të luajë ndaj 16 personave. Është vërejtur një penallti e akorduar. Veliu është bërë për spital ndërsa gjyqtari nuk ndali as faull”, u shpreh Batatina në një intervistë për Supersport.

“Prishtina nuk e meriton të bëhet kampion dhe nuk besoj që do të bëhet kampion. Mendoj që fajtorin ta mbajë Agim Ademi me bashkëpunëtorët e tij”.

Valmir Veliu u lëndua në minutën e 33-të të ndeshjes, pas një përplasjeje me Diar Myftarajn e Prishtinës. Ai fillimisht mori trajtim në fushën e lojës dhe pastaj u dërgua në spital me autoambulancë.

Llapi e kishte fajësuar edhe më parë FFK-në për favorizim në garën për titull, kur kishte pretenduar se Federata ia kishte dhënë mijëra euro premi Prishtinës që ta fitojë ndeshjen kundër Llapit. Ky pretendim ishte mohuar nga FFK-ja, që kishte sqaruar se bëhej fjalë për paratë e fituara nga shitja e të drejtave televizive.