Bastoret e heqin nga ‘loja’ ndeshjen, Llapi – Feronikeli

Sezoni 2018/19 i Superligës së Kosovës ka sjellur një sindrom të ri, atë të kurdisjeve të ndeshjeve nëpërmjet bastoreve ndërkombëtare.

Sport

15/05/2019 13:43

Kompania më e madhe e basteve ‘bet365’ e ka hequr opsionin për ta luajtur ndeshjen mes Llapit dhe Feronikelit, e cila zhvillohet sot nga ora 16:00.

Kjo kompani gjatë tërë këtij edicioni e ka pasur mundësinë e luajtjes së bastores me ndeshjet e Superligës së Kosovës, ndërsa vetëm ndeshjet e Kek-ut nuk figuronin asnjë javë, shkruan lajmi.net.

‘Bet365’ ka shtuar edhe më shumë dyshimet se ndeshja e parafundit mes Llapit dhe Feronikelit mund të jetë e kurdisur, pasi e ka eliminuar krejtësisht nga uebsajti.

Me humbjen ndaj Prishtinës, skuadra e Tahir Batatinës është dorëzuar në luftën për titull, ndërsa ekipi nga Drenasi është në vendin e parë me dy pikë më shumë se sa kryeqytetasit. Ndeshja e fundit luhet në stadiumin ‘Rexhep Rexhepi’ mes Feronikelit dhe Prishtinës, çka janë gjasa reale që titulli të vendoset aty nëse të dyja skuadrat arrijnë fitore sot përballë Llapi respektivisht Trepçës ’89.

Një tjetër arsye pse Llapi pritet t’i bëj ‘nder’ Feronikelit janë komentet në rrjetin social Facebook. Tifozët llapjanë kanë bërë thirrje që ndeshja e sotme të luhet me juniorë, pasi ata nuk e duan Prishtinën kampion.

Luhatje të kuotave pati edhe në ndeshjet mes Dritës – Flamurtarit dhe Drenica – Ballkani.


Por çka do të ndodhë realisht, pritet të tregohet në fushën e blertë me fillim nga ora 16:00. /Lajmi.net/