Bastisje në Mamushë

Bastisen subjekte afariste në Mamushë, nën dyshimin se kanë tregtuar vajra të falsifikuara dhe të kontrabanduara, të futura ilegalisht përmes pjesës Veriore.

Lajme

07/11/2013 20:44

Në rajonin e Mamushës Policia e Kosovës bashkë me Doganat e Kosovës kanë ndërmarrë një aksion të gjërë bastiesjesh, në disa subjekte afariste, nën dyshimin se kanë tregtuar vajra të falsifikuar dhe të kontrabanduara, të futura ilegalisht përmes pjesës veriore të Kosovës.

Burime të lajmi.net bëjnë të ditur se ky aksion ka në fokus dyshimet e forta për kontrabandë ndaj disa subjekteve afariste që veprojnë në këtë pjesë.

“Këto subjekte afariste thuhet sa kanë pasur në sirtarët e tyre vajra ta automjeteve të cilat dyshohen se janë false si dhe të kontrabanduar nga veriu i pakontrolluar i Kosovës”, thotë një burim për lajmi.net.

Nuk janë bërë të ditur hollësi të këtij aksioni, i cili nuk është konfirmuar fillimisht nga Policia e Kosovës, por që më vonë është pranuar se po zhvillohet nga Doganat e Kosovës.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, deklaroi për lajmi.net se bastisjet kanë filluar sot pasdite në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.

“Bastisjet po kryen për të parë nëse këto subjekte afariste kanë kontrabanduar me vajra të automjeteve”.

Stavileci nuk dhënë hollësi të tjera, pasi që sipas tij, ende nuk ka prova të mjaftueshme lidhur me rastin.

Hollësi të këtij aksioni pritet të bëhen të ditura gjatë ditës së premte.