Bastisje dhe konfiskim armësh

Policia e Kosovës i bashkohet operacionit ndërkombëtar të luftimit të trafikimit të drogës. Janë bërë bastisje, konfiskime e arrestime edhe në Kosovë.

Lajme

22/10/2013 15:07

Policia e Kosovës e ndihmuar nga Njësia për Hetimin e Krimit të Organizuar e EULEX-it i ka zhvilluar tri operacione të bastisjes në Kosovë ku janë konfiskuar një numër i armëve.

Bastisjet të cilat u zhvilluan në kuadër të një operacioni të madh që u zhvillua dje në Itali kishin të bënin me trafikimin e drogës.

”Policia italiane ndërmori veprime për zbatimin e 71 urdhër-arresteve dhe kryerjen e 117 bastisjeve me bashkëpunimin e agjencive për zbatimin e ligjit të Shqipërisë, Kosovës, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kroacisë, Sllovenisë dhe Austrisë. Mbi 700 kilogramë drogë u konfiskuan pas zbulimit të një rrjeti ndërkombëtar që importonte drogë në Itali përmes Ballkanit”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Gjatë bastisjeve të cilat u kryen nëpër shtëpi në Kosovë si pjesë e këtij operacioni ndërkombëtar të shkallës së gjerë, Drejtoria e Policisë së Kosovës për Hetimin e Trafikimit të Drogës dhe NJHKO e EULEX’it konfiskuan një AK 47, një Scorpion dhe një revole me municione e tyre përkatëse.

“Operacioni, i cili është kryer në mbarë Evropën, tregon se si bashkëpunimi dhe bashkërendimi i agjencive për zbatimin e ligjit mund ta luftojë krimin në mënyrë të suksesshme dhe ta bëjë Evropën një vend më të sigurt për komunitetin e saj”, tha Alan Edëards i EULEX’it në një konferencë për shtyp e cila u mbajt në L’Aquila të Italisë.

Një zyrtar i Policisë së Kosovës, i cili mori pjesë në këtë konferencë, ka theksuar se Policia e Kosovës është e gatshme të përfshihet dhe të bashkëpunojë ngushtë me Policinë e EULEX’it për t’i luftuar grupet trans-nacionale të krimit të organizuar.

“Strategjia fituese është që të ndalohet krimi i organizuar jo vetëm në Kosovë, por po ashtu edhe në vendet e origjinës, ato të transitit dhe në vendet e destinacionit”, thuhet në njoftimin e Policisë.