Bastiset “Fan Club-i” i plisave, akuzojnë policinë për dhunë të tepruar

Klubi i tifozëve “Plisat” akuzon policinë e Kosovës, se kanë përdorur dhunë të pajustifikueshme sot gjatë një bastisje në “Fan Club-in” e tyre, ku kanë shoqëruar në polici dy persona për dyshuar për dhunë në protestat e fundit. 

Lajme

29/01/2015 23:48

Tifozët e klubeve sportive të Prishtinës, të njohur si “Plisat”, janë akuzuar si pjesë e dhunës së shkaktuar në dy protestat e fundit. Me këtë shkas sot policia e Kosovës, ka bastisur lokalet e “Fan Clubi-it” të tyre, ku ka shoqëruar dy të dyshuar. 

Por, “Plisat” akuzojnë policinë se me këtë rast ka përdorur dhunë të tepruar gjatë bastisjes, dhe për këtë ata thonë se kanë edhe video incizime, të cilat nuk preferojnë t’i transmetojnë për momentin, sepse kanë frikë se do të revoltoheshin anëtarët e tyre. 

“Njësia Speciale e PK-së ka hyrë në Fan Club-in tonë pa prezentimin e asnjë autorizimi dhe në mënyrë vullgare dhe brutalisht kanë rrahur të gjithë personat që kanë qëlluar në Fan Club (rreth shtatë/tetë persona) madje edhe persona të cilët nuk kanë qenë fare në protesta e as pro protestave”. 

“Nën kërcënimet se nëse e lajmërojmë rrahjen në media ose në spital “kanë për të na shkërdhy në një fjalë gjithë familjen”. PK ka shoqëruar dy persona të cilët i ka dërguar në mbajtje, në stacionin policorë në Prishtinë”. 

“Viktimë e dhunës brutale të PK-së ka qenë edhe portieri i KF Prishtinës, Kushtrim Mushica i cili rastësisht ka qëlluar në Fan Club.

Dhuna e PK-së është e filmuar me kamerë GO PRO dhe nëse e njejta video shfaqet në publik ne jemi të sigurt se do të nxis shumë kënd që qysh sonte do të ngriten kundër dhunës policore ndaj qytetarëve të pafajshëm dhe jo të pres ditën e mërkurë”. 

“Për fund përserisim qëndrimin tonë se Plisat janë tifoz të klubeve sportive me emrin Prishtina dhe asgjë më shumë se kaq dhe sa i përket pjesëmarrjes në proteste ose jo, ne nuk mund të kontrollojmë jetën personale të askujt dhe anëtarët tonë vendosin të pavarur”, thuhet në reagimin e “Plisave”. (lajmi.net)