Bashkurti: Nuk ka arsye për tu trembur nga Tribunali
Diplomati shqiptar, Lisen Bashkurti thotë se Kosova nuk duhet të trembet nga Tribunali. Ai mendon se nuk ka nevojë për panik, pasi që UÇK-ja ka bërë një luftë të hapur dhe ka lënë vlera.
Lajme
Në një intervistë për “Epoka e Re”, Bashkurti thotë se Kosova nuk ka arsye të ketë frikë nga ballafaqimi me drejtësinë ndërkombëtare.
“Në opinionin politik dhe publik të Kosovës nuk duhet të ketë panik për Tribunalin. Nuk ka asgjë për panik. Kosova ka bërë një luftë të hapur. UÇK është një ushtri që ka lënë vlera të nderuara”.
“Mendimi im është që Kosova ka treguar një lojalitet ndaj drejtësisë ndërkombëtare, ndaj së drejtës ndërkombëtare penale dhe ndaj detyrimeve të gjykatave ndërkombëtare që nga viti 1999 e këndej”.
“Mendoj se Kosova nuk ka asnjë arsye t’i trembet ballafaqimit me të drejtën ndërkombëtare dhe me institucionet e së drejtës ndërkombëtare”.
Njohësi i të Drejtës Ndërkombëtare, Lisen Bashkurti thotë se themelimi i Gjykatës nuk do të mund të sillte imazh të keq për Kosovën. Ai do të dëshironte që për pretendimet e Dick Martyt të merreshin gjykatat në Kosovë, por thotë se përvoja botërore dëshmon se ato çështje zgjidhen përmes gjykatave ad hoc.
“Imazhi do të zbehte në qoftë se gjykata do të jepte vendime negative për Kosovën. Gjykata në vetvete nuk mund të krijojë as imazh pozitiv e as imazh negativ”.
“Absolutisht, unë do të doja që kjo çështje të gjykohet nga gjykata nacionale, por përvoja botërore dëshmon se në rast të konflikteve dypalëshe zgjidhjet gjinj bëhen nëpërmjet gjykatave ‘ad hoc’”, tha Lisen Bashkurti për “Epoka e Re”.