Bashkimi territorial me Veriun

Kryeministri Thaçi thotë se ditën e takimit të përbashkët qeveritar Kosovë-Shqipëri në Prizren, një zhvillim tjetër i rëndësishëm ndodhi në pjesën veriore të Kosovës, ku Kryetarët e Komunave dhe Këshilltarët Komunalë u betuan sipas Kushtetutës së Kosovës.

Lajme

14/01/2014 09:57

Kryeministri Hashim Thaçi deklaroi sot se në ditën e takimit të përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë të mbajtur në Prizren, një tjetër zhvillim i rëndësishëm për vendin, ndodhi në Veri të Kosovës.

Me betimin e tre Kryetarëve të rinj të Komunave Veriore dhe të Këshilltarëve Komunal të asaj pjese, Thaçi tha se ndodhi edhe bashkimi territorial i Kosovës me Veriun e saj.

Këto komente Kryeministri Thaçi i bëri në mbledhjen e rregullt të Qeverisë së Kosovës, ku uroi të Asamblistët e zgjedhur në katër komunat e pjesës Veriore si dhe kryetarët e rinj të Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut.

“Në ditën e takimit të përbashkët në Prizren, në mes Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë u bë edhe konstituimi i Kuvendeve Komunale në Veri, ku Kryetarët e Komunave në Veri dhanë betimin në përputhshmëri me Kushtetutën dhe Ligjet e Republikës së Kosovës, me përjashtim të njërit i cili edhe vet u diskualifikua sepse nuk mund të lëvizte përpara pa reflektuar Kushtetutën dhe Ligjet e Kosovës”.

“Prandaj, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës mendoj se takimi i Prizrenit dhe dita e takimit të Prizrenit ishte e rëndësishme edhe për avancimin në nivelin më të lartë institucional ndonjëherë të shënuar mes shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë, por ishte edhe mesazhi historik i bashkimit territorial të Republikës së Kosovës edhe në Veri dhe i akceptimit të atyre njerëzve që kanë dalë në zgjedhje të realitetit të ri të shtetit të Kosovës dhe të Ligjeve të Kosovës”.

“Prandaj, dëshiroj t’i uroj dhe t’i përgëzoj të gjithë Asamblistët në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe në Mitrovicën Veriore, si dhe Kryetarët e Komunave Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok”.

“Në Mitrovicën veriore me siguri duke zbatuar vendimin që do të nxjerrë KQZ me rekomandimin apo në harmonizim pas vendimit që do të nxjerrë Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal do të kemi zgjedhje të reja për kryetarin e ri në veri”.

\"Mbledhja

 

“Mbledhja e shkëlqyer e Prizrenit”

Kryeministri Thaçi foli edhe takimin e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë të mbajtur në Prizren, të cilën e quajti të “mbledhje e shkëlqyer”.

“Ka qenë një mbledhje krejt e natyrshme, e një pune të shkëlqyer, një punë që kanë bërë ekipet përgatitore për këtë takim”.

“Puna përgatitore juaja dhe stafeve tuaja, ka bërë që aktiviteti i shënuar të zhvillohet në mënyrë të përkryer, në një atmosferë shumë të ngrohtë, miqësore dhe vëllazërore”.

“I nënshkruam edhe marrëveshjet konkrete për hapat tonë të mëtejmë dhe jam i bindur se do të dalim me arritje shumë të vlefshme dhe konkrete”.

“Dua të ritheksoj se zgjerimi dhe thellimi në nivel më të avancuar të bashkëpunimit dhe integrimit mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, është një prioritet i kësaj qeverie dhe kërkon angazhim dhe përkushtim të plotë nga të gjithë ne”.

“Ky proces është jo vetëm vullnet i qartë i qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë, por është edhe një sprovë në kuadër të aspiratës tonë për integrim evropian”.

“Kam besim të plotë se çdo përvojë pozitive të dy vendet do ta marrin nga njëra-tjetra në këtë proces”.

Thaçi tha se rezultatet, propozimet dhe konkluzionet e nxjerra nga ajo mbledhje, janë jashtëzakonisht të rëndësishme për dy qeveritë dhe do të trajtohen shumë seriozisht nga ana e  Qeverisë Kosovës.

“Zbatimi i marrëveshjeve që firmosëm atë ditë duhet të jetë në qendër të vëmendjes së punës së ministrave, ministrive përkatëse dhe unë do të kërkoj që të organizojmë mbledhje të veçantë të Qeverisë që të përcjellim implementimin konkret të të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara në Prizren. Pra, analizimin e marrëveshjeve dhe përcjelljen nga afër të implementimit të këtyre marrëveshjeve”.

“Në mbledhjen e Prizrenit, secili nga ju që është përfshirë në marrëveshjet apo propozimet që ishin pjesë e rendit të ditës të mbledhjes së përbashkët, do të raportojë me përgjegjësi të plotë për ecurinë e secilës prej tyre”.

“Unë dëshiroj t’ju falënderoj secilin prej jush për punën të cilën e keni bërë, zotimet që i keni marrë, por në të njëjtën kohë, ne duhet në përpikëri t’i implementojmë ato marrëveshje”.

“Në mbledhjen e dy qeverive u shqyrtuan dhe u miratuan një sërë marrëveshjesh me tematike, duke u nisur nga tregtia e lirë, energjetika, rendi publik, shërbimi i përbashkët konsullor e një kalendar i përbashkët i aktivitetesh kulturore”.

“Mirëpo, unë jam shumë i sigurt se ky bashkëpunim mes dy qeverive tona vetëm sa do të afirmohet dhe do të avancohet  edhe më tutje”.

“Prandaj, secila ministri në të ardhmen do të dalë me propozime konkrete për marrëveshjet e reja që do të arrihen  në takimin tonë të ardhshëm që do të mbahet në maj apo fillim të qershorit në qytetin e Vlorës”.

“Ne duhet t’i analizojmë rastet tjera analoge apo praktikat më të mira ndërkombëtare dhe të mësojmë prej këtyre përvojave duke adoptuar tek ne edhe në raportet mes shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë”.

“Ju ftoj të gjithëve, të gjitha ministritë, ministrat përkatës, stafet të tyre, që të intensifikojnë komunikimin me ministritë homologe në Shqipëri, për të diskutuar idetë dhe për të përcjellë te ne, në mënyrë që pas pak muajsh ato projekt-propozime të jenë edhe propozime konkrete për mbledhjen e ardhshme të përbashkët të dy qeverive tona”.

“Për të diskutuar idetë te ne në mënyrë që pas pak muajsh ato projekt-propozime të jenë edhe propozime konkrete për mbledhjen e ardhshme të përbashkët të dy qeverive tona”.

“Gjithashtu, krijimi i fondit është një proces që veç sa ka filluar dhe ne do të mbajmë në dijeni dhe publikun e gjerë për ecurinë e tij dhe projektet që do të hartohen në kuadër të tij”.

“Sikur që e kam theksuar edhe në konferencën për shtyp pas mbledhjes, ky do të jetë një Fond humanitar i hapur që do të pres sponsorizime edhe prej akterëve tjerë, organizatave tjera ndërkombëtare por edhe prej donacione tjera private, pra fondi për maternitetin”.

“Do të shqyrtohen gjithashtu  në mbledhjen e ardhshme nismat tjera që lidhen me shqiptarët që jetojnë në Preshevë, edhe në Maqedoni, edhe në Mal të Zi por edhe në diasporë, pra, në Evropën Perëndimore, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e gjetiu”.

“Unë jam i bindur se në takimin e ardhshëm që do të zhvillohet në Vlorë, do t’i shohim të konkretizuara nismat e takimit të Prizrenit. Gjithashtu, dëshiroj të theksoj se duhet të shohim për një agjendë të mbushur me projekte e propozime të reja, që do të çojnë bashkëpunimin në mes të dy vendeve tonë në nivel shumë më të afirmuar dhe shumë më të avancuar”.

“Unë dëshiroj që t’i siguroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se ky bashkëpunim në mes shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë është një bashkëpunim i nivelit më të lartë institucional, është në të mirën e të gjithë qytetarëve që jetojnë në Shqipëri, dhe qytetarëve që jetojnë në Kosovë. Është në interes të paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës takimet e tilla do të mbajë edhe me qeveritë e vendeve tjera të rajonit. Tani veç kanë filluar përgatitjet për një mbledhje të përbashkët me Qeverinë e Maqedonisë. Ndërsa, në të ardhmen presim takim edhe Qeverinë e Malit të Zi dhe kur të krijohen kushtet dhe rrethanat e përshtatshme, unë jam optimist se do të ndodhë edhe takimi mes Qeverisë së shtetit të Kosovës dhe asaj të Serbisë. Sepse, i gjithë ky projekt, është një projekt në kuptimin e kornizës integruese evropiane. Pra, është në interesin e të gjithëve dhe nuk është i drejtuar kundër askujt”.

“Falënderoj të gjithë ata mbështetës të fuqishëm që më kanë dhënë në procesin e dialogut me Serbinë dhe takimet që kam zhvilluar në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Kësaj radhe ishin paksa cinikë për bashkëpunimin mes shtetit të Kosovës me Shqipërinë”.

“Të gjitha këto angazhime që bëjmë edhe në Bruksel, edhe në Prizren, edhe takimi i Vlorës, edhe takimi që do të ndodhë Shkup apo Prishtinë me Qeverinë e Maqedonisë, janë në frymën e bashkëpunimit, të stabilitetit, në frymën e interesit të zhvillimit ekonomik dhe perspektivës euroatlantike”.

“Natyrisht se ky takim ka hapur mundësi të mëdha, mundësi të cilat duhet t’i shfrytëzojmë”.