Bashkimi Kombëtar i Grave
Për nder të ditës së 8 marsit gratë shqiptare nga të gjitha trevat janë mbledhur sot në një seancë të veçantë në Kuvendin e Shqipërisë. Në të morën pjesë deputete të Parlamentit të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë.

Lajme
Gra nga të gjitha trevat shqiptare për nderë të ditës së 8 marsit, janë mbledhur në Kuvendin e Shqipërisë.
Në seancën e veçantë të organizuar në kuadër të Ditës së Gruas, po marrin pjesë deputete nga Parlamenti i Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë.
Kryetarja e “Aleancës së Grave” deputete shqiptare, Mesila Doda e cila hapi seancën, ka thënë se sfidat e grave janë të shumta. Sipas saj, asgjë nuk mund të përballohet nëse nuk ka një bashkëpunim konstant mes grave deputete.
“Pabarazinë ne e lindim dhe shpesh e rrisim vetë. Unë kam një vajzë dhe nuk mundem të pranoj që e kam sjellë në një botë të pabarabartë, ku ajo ka më pak shanse se vëllai i vet.
“Sot ne kemi në dorë të bëjmë diçka, kemi në dorë të nisim një lëvizje të gruas shqiptare dhe të krijojmë një forum të përhershëm mes nesh, në funksion të krijimit të një pozicioni të ri të gruas”.
Ndërsa, ZëvendësKryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri e ka vlerësuar lartë iniciativën e Aleancës së Grave të Parlamentit të Shqipërisë për këtë bashkim.
“Sot po e shënojmë 8 Marsin me arritje të rëndësishme, por kaq nuk është e mjaftueshme, ka shumë punë për të bërë, që gratë shqiptare të zënë vendin e merituar. Sot jemi në shekullin e 21, ndërsa mentaliteti mashkullor mbetet i shekullit të kaluar.
“ Përpjekjet tona dhanë rezultate, por kemi një rrugë të gjatë për të bërë atë demokraci që duhet të vlejë njësoj për të dyja gjinitë dhe në radhë të parë në vendimmarrje.
Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli theksoi se gratë mund ta fitojnë betejën për të drejtat e tyre.
“Sot bëj thirrje për të ndryshuar gjerat. Nëse do të jemi së bashku do të ndryshohen, ndryshe e kemi luftën të humbur pa e filluar akoma. Shekulli që ka ardhur është shekulli i grave kudo që janë”.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, e lindur në Shqipëri, Alma Lama, tha se takimi i sotëm i grave shqiptare në një seancë Kuvenndi “është një kuvend sa i zakonshëm, po aq edhe i jashtëzakonshëm”.
“I zakonshëm sepse gratë mblidhen përditë dhe kudo, këtu e anembanë botës, për të folur për shqetësimet dhe aspiratat e tyre, për sfidat dhe arritjet”.
“I jashtëzakonshëm sepse ne gratë deputete të të gjitha trojave shqiptare u bëmë bashkë në një kuvend të vetëm, të përbashkët, të parë, që meriton të quhet Kuvendi i Grave Shqiptare”.
“Jemi në momentin e fundit për krijimin e një kohezioni kombëtar që në radhë të parë përfshin të drejtat e grave dhe liritë e tyre. Kemi humbur shumë kohë. E sotmja është e pasigurtë, e nesërmja e panjohur. Si e tillë mund të na sjellë sfida të cilat duhet t’i përballojmë së bashku”, tha Alma Lama.
Deputetja e PD’së, Majlinda Bregu, u shpreh se beteja e vjetër e të drejtave të grave do të mund të fitohet nëse gratë do të jenë të vërteta me njëra-tjetrën
“Nëse do ta shohim të gjithë bashkë pjesën e të drejtave të grave ne mund të jemi më agresive dhe të fitojmë një betejë që është e vjetër. Sot gratë duhet të jenë të vërteta me njëra-tjetrën, drejtësia është ajo çka i duhet grave.
“Duartrokitje të fortë për të gjitha ato zonja që sot kanë pak arsye për t’i dhënë vetes Gëzuar 8 Marsin, por kanë plot arsye për të vazhduar përpara”.