Bashkëveprim kundër ekstremizmit
Radikalizmi dhe ekstremizmi fetar kanë filluar që një kohë të bëhen tema të ndjeshme.

Lajme
Por edhe pa këto dy fryma, siç vlerësojnë analistët, siguria e brendshme e Kosovës, ka qenë dhe mbetet e brishtë.
Ndonëse Kosova është shquar për një frymë të tolerancës ndërfetare, situata në terren, sipas njohësve të çështjes së sigurisë dhe politikës, është duke shkuar në një drejtim tjetër.
Njëri nga analistët e Grupit për Studime Juridike dhe Politike, Shpend Kursani, ka thënë se Kosova asnjëherë nuk ka qenë vend transit për të gjithë ata që kanë qenë apo eventualisht mund të jenë të përfshirë në akte terroriste jashtë vendit.
“Pozita gjeografike e Kosovës nuk lë hapësirë dhe në fakt dëshirë të grupacioneve të ndryshme që ta përdorin Kosovën si vend transit, siç është për shembull Turqia”, ka thënë ai.
Kosova, sipas tij, vazhdon të mbetet si një vend shumë i përshtatshëm për formimin e këtyre grupeve që kanë pretendime terroriste.
“Në anën tjetër, Kosova gjithmonë ka qenë potencial i krijimin të grupeve të caktuara terrosite brenda vendit për të shërbyer si jashtë ashtu edhe brenda Kosovës. Potenciali për një gjë të tillë është shtuar gjithnjë e më shumë që nga koha e luftërave në ish-Jugosllavi, e sidomos pas luftës së fundit në Kosovë”, ka thënë Kursani.
Që tërë kjo situatë të sanohet, duke mos lejuar vazhdimin e gjendjes së tanishme, duhet bashkëveprim dhe koordinim ndërinstitucional, vlerësojnë njohësit e çështjeve të sigurisë dhe politikës.