Bashkësia Islame mbështet aksionin e policisë
Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës e ka përkrahur aksionin e sotëm të autoriteteve të rendit në Kosovë, gjatë të cilit janë arrestuar 40 persona, nën dyshimin se janë rreshtuar në anën e organizatave të shpallura ndërkombëtarisht si terroriste në Irak dhe në Siri.

Lajme
Bashkësia Islame e Kosovës kërkon nga organet kompetente që të ndërmarrin të gjitha masat e duhura ndaj kujtdo qoftë që rrezikon sigurinë e qytetarëve dhe rendin kushtetues të vendit, thuhet në deklaratën për medie dhe opinion publik të BIK-ut.
“Ftojmë qytetarët tanë që të përkrahin organet e shtetit dhe të mos bien pre e individëve të papërgjegjshëm e të pa adresë, që manipulojnë fenë për qëllime johumane e jo fetare. Bashkësia Islame e Kosovës edhe njëherë fton besimtarët, e në veçanti të rinjtë tanë, që të mos bien pre e grupeve të ndryshme që thirren në emër të të ashtuquajturit xhihad e njëfarë Kalifati”, thuhet mes tjerash në komunikatën e BIK-ut.