Bashkësia e Komunave themelohet në shkurt

Krstimir Pantic thotë se BKS do të themelohet muajin e ardhshëm, por nuk e di nëse Shtërpca do të jetë pjesë e kësaj bashkësie. Ai pret fonde nga BE për rindërtim në Veri.

Lajme

03/01/2014 08:22

Kryetari i zgjedhur i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Krstimir Pantic pret që Statuti i Bashkësisë së Komunave Serbe (BKS) të jetë i gatshëm për muajin e ardhshëm.

Ai është shprehur se “duhet të arrihet pajtimi me bashkësinë ndërkombëtare” për përmbajtjen e statutit dhe se një rol të rëndësishëm në hartimin e tij do ta luajë Ekipi Përgatitor i BKS’së.

“Statuti duhet të aprovohet nga bashkësia ndërkombëtare. Presim që kjo të kryhet në afat sa më të shkurtër dhe në fillim të shkurtit BKS të jetë e themeluar, pasi komunat individuale të deklarohen për bashkangjitjen në këtë bashkësi”, ka thënë Pantic për Tanjug.

Ai pret që nëntë komunat në të cilat ka fituar “Lista Serbe” të bëhen pjesë e kësaj bashkësie, por nuk e di se cili do të jetë vendimi i Komunës së Shtërpces, të cilën e drejton një parti e cila është e afërt me qeverinë e Kosovës, Partia e Pavarur Liberale.

“Natyrisht, ne do të donim që në Bashkësi të jenë 10 komuna të cilat qeverisen nga serbët, sepse në atë mënyrë më së miri do t’I mbronim interest e qytetarëve tanë, por secila komunë duhet të vendosë për vete”, është shprehur ai.

Ai ka thënë se ekziston një numër projektesh për rindërtimin e Mitrovicës së Veriut dhe se pret mbështetje dhe fonde edhe nga Bashkimi Europian.