Bashkëpunim me Zvicrën gjatë Presidencës së OSBE’së

Ministri Enver Hoxhaj e njoftoi ambasadorin Gerard Stoudmann për progresin në Kosovë, fuqizimin e shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar. Folën për bashkëpunimin rajonal gjatë Presidencës zvicerane të OSBE’së.

Lajme

21/01/2014 19:47

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar sot një takim me Ambasadorin Gerard Stoudmann, Përfaqësues Special i Konfederatës Zvicerane për Ballkanin Perëndimor gjatë presidencës zvicerane të OSBE’së.

Ministri Hoxhaj e njoftoi ambasadorin Stoudmann për progresin në Kosovë, fuqizimin e shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar.

Ai veçoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për përmbushjen e agjendës integruese europiane, si dhe angazhimin e fuqishëm të diplomacisë kosovare për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, në kuadër të agjendës multilaterale.

Ministri Hoxhaj gjatë takimit ka shprehur mirënjohjen e qytetarëve dhe Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e gjithanshme të Zvicrës.

Ambasadori Gerard Stoudmann vlerësoi progresin në Kosovë, duke theksuar mbështetjen e shtetit zviceran për avancimin e mëtutjeshëm të reformave si dhe për agjendën multilaterale të Kosovës.

Hoxhaj dhe Stoudmann biseduan edhe për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve gjatë presidencës zvicerane të OSBE’së, në fokus të së cilës do të jetë avancimi i bashkëpunimit rajonal.

Ata po ashtu vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, duke theksuar vullnetin për avancimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, thuhet në një njoftim të MPJ’së.