Bashkëpunim me të gjithë, koalicion me asnjë hiç

Shpend Ahmeti ka thënë se që nga zgjedhja e tij është i hapur për bashkëpunim me të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin Komunal, por ka përjashtuar çfarëdo koalicioni apo ndarje të pushtetit me to.

Lajme

24/12/2013 13:45

Kryetari i ri i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili do të inaugurohet të enjten, ka realizuar takimet e para me partitë politike të përfaqësuara në Asamblenë Komunale.

Ahmeti sot ka zhvilluar një takim me Besnik Tahirin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe me Asamblistët e kësaj partie në KK të Prishtinës.

Pas takimit, kreu i ri i Prishtinës, ka thënë se do të bashkëpunojë me secilën parti politike pjesëmarrëse në Kuvend, për zhvillimin e Prishtinës.

Ai pati fjalë të mira për planin që AAK kishte prezantuar për Prishtinën gjatë fushatës, pjesën që flet për buxhetin pjesëmarrës të komunës.

“Ka pasur edhe gjëra në programin e Besnikut gjatë fushatës që ne i kemi konsideruar si të dobishme për qytetin e Prishtinës, në ato pjesë të programit ku ne mendojmë se janë të mirë, do të bashkëpunojmë me ekipin e Aleancës për t`i jetësuar ato e posaçërisht kur bëhet fjalë për buxhetin pjesëmarrës të cilin e kanë prezantuar në program dhe për programin dhe subjektin tonë ka qenë një prej pikave më të mira”.

“Prandaj do të punojmë bashkë që ta realizojmë dhe funksionalizojmë buxhetin pjesëmarrës si diçka që komunat edhe nëpër Evropë por edhe në SHBA e kanë si pjesë qenësore të funksionimit”.

Ish Kandidati i AAK’së për Kryetar të Prishtinës, Besnik Tahiri, tha se Aleanca do të jetë zë i fuqishëm në Kuvendin Komunal për të korrigjuar gabimet e ekzekutivit, por në të njëjtën kohë s’do t’i bllokojë proceset në Kuvend.

“I bëra me dije se Aleanca për Prishtinën në Kuvendin e Prishtinës është parti opozitare, parti që synon të korrigjoj qeverisjen, të jetë sa më e drejtpërdrejt në mënyrë që t`i kontribuoj zhvillimit të Prishtinës”.

“Por, në të njëjtën kohë subjekt politik i cili nuk qëndron në Asamble për të bllokuar proceset, por për të ndihmuar secilën agjendë që ka zhvillim dhe që synon mirëqenien e këtij qyteti”.

Ahmeti u ka bërë thirrje edhe subjekteve tjera politike për të gjetur kohë për takim, para se të mbahet seanca inauguruese e Kuvendit Komunal ku do ta bëjë betimin Kryetari i ri dhe asamblistët e zgjedhur.

Ahmeti ka thënë që nga zgjedhje e tij se është i hapur për bashkëpunim me të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin Komuna, por ka përjashtuar çfarëdo koalicioni apo ndarje të pushtetit me to.

Shpend Ahmeti, bashkë me drejtuesin e grupit të anëtarëve të Kuvendit Komunal nga radhët e Vetëvendosjes, Ylli Hoxhën, dhe me Dardan Sejdiun, u takua edhe me Cuneid Ustaibon nga KDTP, Visar Arifajn nga PF, si dhe Islam Pacollin nga AKR.