Bashkë me refugjatët, vjen dhe terrorizmi

15:48 | 15 Nentor 2015

Vala e sulmeve terroriste në zemër të Europës i hap rrugë një tjetër debati; xhihadistë të kamufluar në radhët e mijëra refugjatëve që depërtojnë kontinentin çdo ditë.

Nëse verifikohet se pasaporta siriane e gjetur pranë trupave të terroristëve në Paris, i përket një refugjati që ka kaluar së fundmi në Evropë, kjo do të ishte një goditje e fortë për politikën e dyerve të hapura të Angela Merkel.

Kufijtë e Europës janë në luftë të përditshme me krizën më të rëndë të emigracionit që pas Luftës së Dytë Botërore. Për muaj të tërë, Greqia është kritikuar ashpër,  kryesisht nga Gjermania, për dështimin e identifikimit të mijëra refugjatëve që kalojnë përmes vendit, për të arritur Evropën Veriore dhe Perëndimore.

Tensioni që ka mbërthyer unionin është i dukshëm , teksa krahu i vendeve lindore e kanë kundërshtuar vazhdimisht sistemin e detyruar të kuotave të azilantëve.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka qenë edhe jehona më e fortë e këtij qëndrimi kritik. Ai i ka akuzuar liderët perëndimorë se po mbjellin një politikë katastrofike dhe të rrezikshme si ekonomikisht dhe kërcënuese nga pranimi i refugjatëve sirianë.

Pakistani dhe Afganistani janë vatra të ekstremizmit militant dhe të ardhurit nga këto vende nuk kanë qenë të pakët.

“Ne jemi shumë të shqetësuar në lidhje me rrjedhën e refugjatëve që hyn  përmes Evropës Qendrore”, tha një zyrtar i zbulimit gjerman. Ai shtoi se bazuar në përvojat e mëparshme të Al Kaedës pas rënies së talebanëve,  ky është një opsion i lehtë për terroristët që të vënë në zbatim skemat e tyre.

Sipas profesorit të universitetit të George Toën, Daniel Bajmen, në rast se refugjatët trajtohen vetëm si problem humanitar afatshkurtër, sesa si një sfidë afatgjatë, atëherë rreziku më i madh është radikalizmi fetar.

I ashtuquajturi “Shteti Islamik” nuk i ka shpallur luftë vetëm Francës, por të gjithë njerëzve të lirë në botë, shprehen opinionistët. Të gjithë duhet të angazhohen për një arsye shumë të thjeshtë: tani, nga terrori mund të preket kushdo./TopChannel