Bashkë me Amerikë

Kryetari i PDK’së, Hashim Thaçi, ai i LDK’së, Isa Mustafa, lideri i AAK’së, Ramush Haradinaj dhe drejtues të forcave tjera politike janë vënë sërish përballë njëri tjetrit, në Ambasadën Amerikane, në përpjekje për të përafruar qëndrimet për reformen zgjedhore.

Lajme

09/12/2013 09:01

Reforma zgjedhore e cila është zvarritur pafundësisht nga partitë politike, duket se është vendosur në top prioritet të agjendës së faktorit ndërkombëtarë, i cili po kërkon me ngulm, që në asnjë mënyrë zgjedhjet nacionale, të parapara për vitin e ardhshëm, të mos mbahen pa përfundimin e kësaj reforme.

Për t’i dhënë shtytje ndryshimeve në Ligjin për Zgjedhjet, lajmi.net mëson se Ambasada Amerikane në Prishtinë, ka mbledhur sot me mëngjes, në selinë e saj, liderët kryesor të forcave politike të Kosovës, përjashto këtu Kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, të cili nuk i është dërguar ftesë për të marrë pjesë në këtë takim.

Kryetari i PDK’së, Hashim Thaçi, ai i LDK’së, Isa Mustafa, lideri i AAK’së, Ramush Haradinaj dhe drejtues të forcave tjera politike janë vënë përballë njëri tjetrit, edhe njëherë, në përpjekje për të ofruar dallimet që kanë në lidhje me reformën zgjedhore.

Mësohet se liderët janë zotuar për ta përfunduar sa më shpejt reformën zgjedhore, mundësisht brenda këitij viti, në mënyrë që vendi të mund të mbajë zgjedhjet nacionale në mesin e vitit 2014.

Ndryshe javë më parë Ambasadorja Amerikane në Kosovë ka tërhequr vërejtjen se mbajtja e zgjedhjeve parlamentare pa kryer reformën zgjedhore do të ishte gabim dhe do të rrezikonte raportet e Kosovës me Perëndimin.

“Nëse reforma zgjedhore nuk kryhet së paku gjashtë muaj ose më shumë përpara zgjedhjeve të përgjithshme, atëherë  ka mundësi që BE’ja nuk do t’i njohë rezultatet e atyre zgjedhjeve si legjitime dhe ky do të ishte një problem i madh për Kosovën”, pati thënë Ambasadorja Jacobson për ‘Kohën Ditore’.

Dy partitë më të mëdha në vend, PDK dhe LDK, ndajnë mendim të njëjtë sa i përket reformës zgjedhore.

Të dy taborret politike janë shprehur të gatshme që ta pranojnë një mini-reformë, për shkak se reforma rrënjësore, ashtu siç ishte menduar në fillim, do t’u merrte atyre shumë kohë.

Anëtari i Komisionit Parlamentar për Reformë Zgjedhore nga PDK, Behar Selimi,  ka thënë se për lajmi.net se shumica e çështjeve sa i përket kodit zgjedhorë janë mbyllur, dhe sipas tij do të varet gjithçka nga vullneti i partive politike në vend.

Deklaratat e Selimit janë në vijë me ato të Kryetarit të LDK’së, Isa Mustafa i cili një ditë më parë doli hapur me qëndrimin se Kosovës i duhet një reformë më e shpejtë, por e tillë që nuk e prek Kushtetutën e vendit.

Eksperti për çështje zgjedhore, Leon Malazogu, ka deklaruar për lajm.net se Kosova duhet të mbajë zgjedhje me Ligj të ri. Sipas tij, Ligji për Zgjedhjet duhet t`i nënshtrohet një reforme të thellë e jo arnimit të ligjit aktual.