Basha thotë se Pavarësia e Kosovës është dita e dytë më e rëndësishme e historisë kombëtare

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka uruar qytetarët e Kosovës në 12-vjetorin e Pavarësisë.

Lajme

17/02/2020 09:40

Në 12-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, kryetari i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha, ka uruar të gjithë qytetarët kosovarë.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Basha ka thënë se, pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, Pavarësia e Kosovës, është dita e dytë më e rëndësishme e historisë kombëtare shqiptare, shkruan lajmi.net.

“Këto nuk kanë qenë vite të lehta për Kosovën,sikundër dhe rruga e së ardhmes është e mbushur me sfida. Por si përherë, jam i bindur se me pjekuri, durim, forcë e mençuri do t’i përballni me sukses të gjitha sfidat përgjatë rrugës së vështirë të shtetformimit”, ka shkruar ndër të tjera Basha.

Postimi i plotë i Bashës pa ndërhyrje:

Të dashur vëllezër e motra të Kosovës, në ditën e dytë më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, ju uroj nga zemra gëzuar përvjetorin e 12-të të shtetit të Kosovës!

Këto nuk kanë qenë vite të lehta për Kosovën,sikundër dhe rruga e së ardhmes është e mbushur me sfida. Por si përherë, jam i bindur se me pjekuri, durim, forcë e mençuri do t’i përballni me sukses të gjitha sfidat përgjatë rrugës së vështirë të shtetformimit.

Në këtë ditë kaq të bukur dhe të rëndësishme për kombin, dua të shpreh angazhimin tim se çdo ditë të jetës dhe punës time, sot në krye të opozitës e nesër në krye të qeverisjes së vendit, Kosova dhe aspirata jonë e përbashkët drejt integrimit do të jetë misioni ynë i madh.

Ne do të jemi bashkë në këtë rrugëtim, prandaj edhe më të fortë edhe më të qartë se asnjeherë më parë për të sotmen dhe të ardhmen tonë.

Gëzuar Kosovë!. /Lajmi.net/