Basha takohet me ambasadorin e Gjermanisë, i thotë se masat ndaj Kosovës duhet të hiqen menjëherë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha ka pritur sot në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Reiner Rudolph. Në këtë takim, ata kanë diskutuar për situatën aktuale politike në vend dhe për rëndësinë e avancimit të Kosovës në institucione ndërkombëtare, ndërkaq Basha ka thënë se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për t’u bërë…
Lajme
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha ka pritur sot në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Reiner Rudolph.
Në këtë takim, ata kanë diskutuar për situatën aktuale politike në vend dhe për rëndësinë e avancimit të Kosovës në institucione ndërkombëtare, ndërkaq Basha ka thënë se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për t’u bërë pjesë e Këshillit të Evropës.
Ai ka thënë se aplikimi për statusin e vendit kandidat duhet të miratohet, për çka Basha thotë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e caktuara nga ky institucion.
“Masat ndaj Kosovës janë të padrejta dhe që duhet të hiqen menjëherë, gjithmonë duke llogaritur në miqtë tanë gjermanë që kanë qenë dhe janë mbështetës të rrugëtimit tonë drejt BE-së”, theksoi kryetari i Kuvendit.
Duke folur për procesin zgjedhor në vend, kryetari Basha i ka thënë Rudolph se Kosova është shembull në rajon për demokraci dhe për tranzicion paqësor të pushtetit, gjë që u dëshmua edhe me zgjedhjet e fundit lokale.
“Kryetari i Kuvendit dhe ambasadori gjerman theksuan rëndësinë që të gjitha komunitetet të ndihen pjesë e Republikës së Kosovës dhe të jenë të integruara plotësisht në të gjitha sferat e jetës shoqërore dhe politike. Duke folur për rajonin, kryetari Basha tha se normalizimi dhe demokratizimi i Serbisë është në dobi të stabilitetit dhe zhvillimit të rajonit, pasi qëndrimet shpërfillëse të saj ndaj realitetit janë shkaku kryesor i problemeve aktuale në Kosovë, por edhe në rajon”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Kuvendi i Kosovës.
Kryeparlamentari Basha ka shprehur falënderimin e tij për mbështetjen e shtetit gjerman, i cili, siç tha ai, ka qenë dhe vazhdon të jetë partner i rëndësishëm në rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian. /Lajmi.net/