Basha: Shporrja e Ramës është mision kombëtar

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar shkurt pas publikimit të 10 audiopërgjimeve të reja lidhur me manipulimin e zgjedhjeve në Dibër, të publikuara nga gazeta gjermane  “Bild”.

Lajme

19/06/2019 23:57

Basha ka thënë se përgjimet e reja dëshmojnë se kryeministri Edi Rama është “padrino i krimit” dhe se rrëzimi i tij është “mision kombëtar”.

“Edi Rama është padrino i krimit. Tani nuk ka më alibi. Shporrja e tij dhe e bandës së tij në pushtet është mision kombëtar”, shkruan  Basha në Facebook.

Gazeta gjermane “Bild” shkruan sot se përgjimet e reja tregojnë se si ministra, deputetë, shefa policie dhe kriminelë janë përfshirë për manipulimin e zgjedhjeve.

Në dhjetë përgjimet e reja të publikuara nga gazetari Peter Tiede, përfshihen materiale të dosjes 184. Në një prej përgjimeve ish-ministri i Enegjetikës, Damian Gjiknuri përgëzon për strategjinë e tij shefin e policisë së Dibrës, Robert Aga.

Në një përgjim tjetër dëgjohet deputeti dhe anëtari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë, Xhemal Qefalia, duke e përgëzuar shefin e policisë së Dibrës, Robert Aga, për punën e bërë dhe i premton se do të flasë me Kryeministrin Edi Rama për tai emëruar në një pozicion më të mirë. (r.m.)