Basha: Rama po nxit vëllavrasjen

20:51 | 16 Qershor 2019

Kreu i PD-së Lulzim Basha, drejtoi sot akuza të rënda ndaj kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, duke thënë se ai po nxit vëllavrasjen.

“Protestat tona tani janë protesta të mëdha popullore, protesta të njerëzve që nuk pajtohen më me krimin dhe korrupsionin që po shkatërron jetët e njerëzve. Kjo e ka trembur dhe e ka futur në panik Edi Ramën. Prandaj, tani ai ka vendosur të zbatojë një plan të rrezikshëm, për nxitjen e ndarjeve dhe përplasjeve sociale në Shqipëri”, tha Basha, raporton tch.

Sipas tij, kryeministri Rama po kërkon të nxisë dhunë masive në Shqipëri dhe po kërkon të nxisë luftë mes militantëve të ndryshëm politikë.

“Po kërkon të nxisë vëllavrasjen mes shqiptarëve. Për këtë qëllim, ai po përdor policinë, prokurorinë, gjykatat dhe mercenarët e tij në media, për të krijuar ngjarje që provokojnë, që ndezin emocionet, që nxisin revoltim dhe reagime publike”, tha Basha.