Basha: Rama në dialog si kryeministër, do të dalë i dorëhequr

Kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha ka deklaruar se rruga e dialogut mbetet e hapur, por Edi Rama do të hyjë në dialog si kryeministër e do të dalë si i dorëhequr.

Lajme

11/04/2017 12:59

Duke folur në çadrën e protestës, Basha tha se 6 ditë më parë është rënë dakord të flitej për formimin e qeverisë teknike.

“Të kam thënë në çadër të vish me dorëheqje, po shprehu dëshirën për të ardhur në çadër dhe në këtë çadër të lirisë ku shumica prej jush thatë se nuk mund të vinte, unë me përgjegjësinë që më keni ngarkuar, ju kërkova ta mirëpresim me dorëheqjen e firmosur për ta bërë pjesë të zgjidhjes atë që është sot i vetmi problem dhe e vetmja pengesë, kryeministrin që refuzon të japë shqiptarëve garancitë për zgjedhjet e lira e të ndershme përmes një qeverie teknike”.

Meqë dëshirën për në çadër e ke shprehur shumë herë, eja në këtë çadër me dorëheqjen në xhepin e xhaketës dhe ne do të presim paqësisht. Por lëri lojrat e fjalëve, dialogun e dakodrësuam ditën e mërkurë, 6 ditë përpara, u ra dakord se do të flitej për formimin e qeverisë teknike dhe për mandatin e qeverisë teknike. Nuk mund të bëjmë ne lojra fjalësh, do të hyjë si kryeministër në dialog po do të dalë nga dialogu si kryeministër i dorëhequr që i hap rrugën qeverisë teknike me mbështeje të gjerë politike”, tha Basha.

Kreu i opozitës i është përgjigjur zërave për largim të aleatëve të tij, duke thënë se janë në besë jo me PD, por me fjalën e dhënë para qytetarëve shqiptarë.

“Mirënjohje për të gjithë aleatët tanë. Jo besën me mua, as me PD, por fjalën e dhënë para qytetarëve shqiptarë sepse kjo betejë është vetëm e vetëm për qytetarët shqiptarë. Ka nisur si e tillë dhe duhet patjetër të përfundojë si e tillë. Që të përfundojë si e tillë duhet të shmangim çdo kurth, çdo çark, çdo dredhi që ka për qëllim t’i japë oksigjen republikës së vjetër akoma dhe të shmangë, ndalojë apo ngadalësojë projektin e republikës së re”, tha më tej Basha.