Basha kundër refugjatëve: Qeveria e pafuqishme përballë trafikantëve

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka marrë pjesë në takimin e organizuar nga Partia Popullore Europiane mes krerëve të Partive simotra dhe ministrave të Jashtëm të partive anëtare të mbledhur në Vjenë.

Lajme

13/03/2016 19:57

Kryefjalë e këtij takimi është situata në Ballkanin Perëndimor. Referuar krizës së rënduar të refugjatëve, Basha u tregua skeptik për menaxhimin që mund t’i bëjë vendi ynë nëse është nevoja.

“Mundësitë e kësaj qeverie për të menaxhuar krizën e refugjatëve janë shumë të limituara. Së pari, për shkak të situatës së keqe të sundimit të ligjit, e cila është përkeqësuar nga influenca e krimit të organizuar, e cila po bëhet gati për të mobilizuar trafikimin e qenieve njerëzore përtej Adriatikut dhe kjo mund të përkeqësohet akoma më tej nga mundësia e  infiltrimit të elementëve terrorist. Prandaj Shqipëria ka nevojë të jashtëzakonshme për mbështetjen e Bashkimit Europian dhe të NATO-s”, tha Basha.

Presidenti i PPE, Joseph Daul, kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian, Elmar Brok, si dhe ministrat ë Jashtëm të BE-së janë gjithashtu pjesëmarrës në këtë takim, i cili drejtohet nga ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Kurz.

Përveç situatës në vendet e Ballkanit Perëndimor diskutimet do të përqendrohen edhe tek lufta kundër terrorizmit dhe radikalizmit. /Top Channel