Bardhi: Ndeshja ndaj Kosovës speciale, shpresoj të fitojmë

Enis Bardhi ka folur për ndeshjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, e cila pritet të zhvillohet pas muajit shtator, e vlefshme për kualifikimin në Kampionatin Evropian përmes Ligës së Kombeve.

Sport

28/04/2020 19:17

Bardhi, një nga lojtarët më të mirë të Maqedonisë, në një intervistë për Supersport, ka deklaruar se ndeshja ndaj Kosovës do të jetë ndeshje shumë e bukur, ku uron që ajo të luhet para tifozëve, teksa kërkon fitoren e skuadrës së tij.

“Me Kosovën do jetë një ndeshje shumë e bukur. Shpresoj që të jetë një lojë si të tjerat, shpresoj që të rikthehemi shpejt në fushën e lojës dhe ta presim me emocion atë ndeshje. Dua që ta luajmë me tifozë, pasi është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe historike”, ka deklaruar Bardhi për Supersport, përcjell lajmi.net.

“Të dyja kombëtaret do të përpiqen të shkojnë në Evropian. Në fushë jemi të gjithë profesionistë dhe do luajmë për fitoren. Tifozët duhet të shijojnë ndeshjen. Kosova ka ecur shumë, e kam ndjekur në shumë ndeshje dhe ka shumë kualitete”

I pyetur se sa e veçantë do të jetë kjo ndeshje për të, ai ka shtuar: “Nënën e kam nga Kosova babanë nga Maqedonia, dhe shpresoj ta fitoj ai që e meriton. Unë besoj te eksperienca që kemi ne, pasi kemi bërë shumë ndeshje bashkë. Shpresoj që të jemi të gjithë në formë dhe të marrim fitoren”./Lajmi.net/