Barcelona ‘shpërthen’ me Suarezin
Barcelona pati një stinor të zbehtë. Mirëpo, ardhja e mundshme e sulmuesit të Liverpoolit pritet të rikthejë shpërthimin e gjigantit katalan, shkruan El Mundo Deportivo.

Sport
Barcelona kaloi një edicion dëshpërues. Gjiganti katalan u eliminua në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, humbi finalen e Copa del Rey dhe u mposht në xhiron e fundit nga Atletico Madrid në garë për titull të kampionit në La Ligë.
Andaj, ka ardhur koha për ndryshime. Kryesia e klubit ka reaguar menjëherë. Gerardo Martino u largua nga posti i trajnerit dhe në vend të tij erdhi ish mesfushori, Luis Enrique.
Po ashtu, Cesc Fabregas është larguar nga klubi në drejtim të Chelseas, ndërsa Camp Noun pritet ta braktisë edhe Alexis Sanchez. Barcelona ka transferuar portierët Claudio Bravo e Marc Andre-Ter Stegen dhe mesfushorin Ivan Rakitiq.
Por, përforcimi më i madh pritet të bëhet në sulm. Gjiganti katalan ka filluar negociatat me Liverpoolin për transferimin e sulmuesit Luis Suarez. Sipas të përditshmes sportive katalane El Mundo Deportivo, ardhja e Suarezit do të përmirësonte disponimin në mbarë ambientin në klub, pas një edicioni të vështirë.
Po ashtu me ardhjen e tij, reparti sulmues i Barcelonës do të jetë edhe më i frikshëm, Messi-Neymar-Suarez.