Barcelona mposhtet nga Bayern dhe merr biletë për Europa League – Benfica shoqëron bavarezët në 1/16

Barcelona edhe zyrtarisht do të luajë në Europa League për pjesën tjetër të sezonit.

Sport

08/12/2021 22:52

Katalanët, ashtu siç pritej, janë mposhtur 3:0 në ‘Allianz Arena’, në një ndeshje ku për Bayern Munich ishte gjithçka shumë e lehtë, shkruan lajmi.net.

Bayern Munich kaloi në epërsi qysh në minutën e 34’, me golin e Thomas Muller, i cili mori një asistim nga Lewandowski.

Nëntë minuta më vonë, Leroy Sane dhuroi golin më të bukur të ndeshjes, duke shënuar nga një distancë e largët për 2:0.

Barca humbi të gjitha shpresat në pjesën e dytë, kur në minutën e 62’ Musiala shënoi për 3:0, pas një aksioni brilant të ndërtuar nga Alphonse Davies.

Me këtë humbje, Barca mbetet me shtatë pikë në pozitën e tretë, kurse Bayern me 18 pikë kalon tutje.

Bavarezët shoqërohen nga skuadra portugeze, Benfica, e cila me tetë pikë kalon nga pozita e dytë.

Benfica shënoi fitore 2:0 ndaj Dynamo Kyiv, me golat e Yaremchuk në minutën e 16’ dhe Gilberto në minutën e 22’. /Lajmi.net/