Barcelona gjen zëvendësuesin në rast që dështon ‘pista’ Torres

Barcelona është duke vlerësuar situatën e sulmuesit të Manchester Unitedit, Anthony Martial, edhe pse ylli i Man Cityt, Ferran Torres mbetet zgjedhje e parë.

Sport

30/11/2021 12:21

Katalunasit kanë shprehur interesim për Torres, që do jetë jashtë fushës deri në mesin e dhjetorit shkaku i kockës së thyer në këmbë, transmeton lajmi.net.

Zëvendëspresidenti i Barcelonës, Rafael Yuste ka konfirmuar bisedimet me zyrtarët e Cityt për transferimin e mundshëm të Torres.

“Ferran është lojtar i mirë dhe ne jemi duke punuar në këtë drejtim. Kemi miq te Manchester City dhe ka lidhje të mirë. E kuptoj pyetjen, por shkaku i respektit për lojtarin dhe klubin nuk mund të jap përgjigje pozitive apo negative”, tha ai për “AS”.

Pavarësisht, marrëveshja a realizohet apo jo, Torres ka impresionuar që prej kalimit te Valencia dhe kampioni i Anglisë do pret më shumë nga spanjolli.

Sidoqoftë, “Mundo Deportivo” raporton se Torres gjithashtu është i interesuar për kalimin te Barcelona dhe që ka pyetur Pep Guardiolan ta lejojë të ndryshojë skuadër.

“Mundo Deportivo” gjithashtu shton se Barcelona është duke konsideruar Martialin si opsion tjetër në janar, me francezin që ka dështuar të jetë në ekipin titullar.

Barcelona është admirues i 25-vjeçarit dhe duke marrë parasysh minutazhën e limituar në “Old Trafford”, një huazim mund të sigurohet në janar deri në fundin e sezonit, sidomos pasi Martial dëshiron të fitojë vendin te Franca për Kupën e Botës.

Ndërkohë, Barcelona ka pranuar se nuk mund të blejnë askënd në janar, në rast që nuk shesin lojtarë, me situatën ekonomike që vazhdon t’iu shkaktojë probleme.

Ousmane Dembele është lojtari tjetër që mund të largohet, në rast që vazhdon të refuzojë rinovimin e kontratës.

24-vjeçari ka zhvilluar vetëm një paraqitje në la Liga këtë sezon dhe Barcelona mund ta shesë në janar, që të mos e lejojë të largohet falas, pavarësisht që Xavi dëshiron ta mbajë në “Camp Nou”./Lajmi.net/